Kurti paralajmëron koeficientin 120 euro nga korriku 2027

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Projektbuxheti për vitin 2027 parasheh rritjen e koeficientit të pagave nga 110 në 120 euro, duke filluar nga 1 korriku i vitit të ardhshëm. Gjatë mbledhjes së nëntë të Qeverisë së Kosovës, Kurti ka bërë të ditur se përveç rritjes së koeficientit, nëpunësit publikë do…

Lajme

02/11/2026 17:39

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Projektbuxheti për vitin 2027 parasheh rritjen e koeficientit të pagave nga 110 në 120 euro, duke filluar nga 1 korriku i vitit të ardhshëm.

Gjatë mbledhjes së nëntë të Qeverisë së Kosovës, Kurti ka bërë të ditur se përveç rritjes së koeficientit, nëpunësit publikë do të përfitojnë edhe pagën e 13-të, e cila pritet të ekzekutohet në pjesën e parë të vitit 2027.

“Njësoj sikurse sivjet, buxheti i 2027 parasheh edhe në vitin tjetër pagën e 13-të, dhe krahas saj edhe rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga data 1 korrik 2027. Pra, në pjesën e parë të vitit paga e 13-të, kurse në pjesën e dytë të vitit rritje e pagës për të gjithë nëpunësit që marrin pagë nga buxheti”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i Qeverisë ka bërë të ditur se buxheti i përgjithshëm për paga në vitin 2027 do të arrijë në 1 miliard e 85 milionë euro.

Sipas tij, kjo shumë, e ndarë për rreth 85 mijë punonjës të sektorit publik, paraqet një pagë mesatare vjetore bruto prej mbi 12 mijë eurosh, apo mbi 1 mijë euro në muaj.

“Kjo e çon buxhetin e pagave në 1 miliardë e 85 milionë euro, e që kur pjesëtohet me rreth 85 mijë punonjës të publikut, paga mesatare vjetore bruto rezulton mbi 12 mijë euro, apo mbi 1 mijë euro bruto në muaj, gjë që nënkupton edhe përmbushjen e njërit nga premtimet tona për mandatin e radhës qysh në vitin e ardhshëm”, ka thënë ai.

Kurti ka theksuar se rritja e pagave nuk do të ndalet me ndryshimin e paraparë për vitin 2027, por do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.

Gjatë mbledhjes, kryeministri është ndalur edhe te performanca ekonomike e vendit, duke bërë të ditur se ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti.

Ai ka deklaruar se këto rezultate e rendisin Kosovën ndër vendet me rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon dhe më gjerë.

Ndërkaq, buxheti i projektuar për vitin 2027 është 4.27 miliardë euro, që sipas Kurtit është 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar i vitit 2026 dhe 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i këtij viti.

Nga kjo shumë, 908 milionë euro janë paraparë të ndahen si financim direkt për komunat e Kosovës.

Kurti e ka cilësuar këtë si buxhet rekord për komunat, duke thënë se rritja vjen si rezultat i shtimit të vazhdueshëm të granteve qeveritare.