Kurti para ca vitesh: Me VV-në në Qeveri, vaji do të kushtojë 1 euro e 06 cent

Çmimet e produkteve ushqimore në Kosovë aktualisht kanë “shkuar në qiell”, duke pësuar rritje të madhe.

Lajme

09/03/2022 12:17

Kësisoj, një litër vaj në Kosovë aktualisht kushton mesatarisht 2 euro, mirëpo është paralajmëruar se për disa ditë ky çmim do të arrijë deri në 3 euro, shkruan lajmi.net.

E kjo ka shkaktuar alarm tek qytetarët të cilët kanë “vrapuar” që të blejnë rezerva me çmimet aktuale duke zbrazur kështu raftet e vajit në markete.

Kosovarët zbrazin raftet e vajit në markete, “vrapojnë” të blejnë rezerva me çmimin aktual

Mirëpo krejt tjetër ishte premtimi i Kurtit më 2014, gjatë kohës që ai ishte në opozitë.

Kryeministri i tanishëm atëbotë thoshte se çmimi i vajit në Kosovë nga 1 euro e 23 cent, do të bëhet 1 euro e 6 cent. Këtë, Kurti thoshte se do ta arrinte duke e bërë TVSH-në zero për artikujt ushqimorë.

“TVSH bëhet zero për gjërat elementare ushqimore edhe buka me Lëvizjen Vetëvendosje në qeverisje, nga 36 cent që është mesatarja e çmimeve për muajin shkurt të vitit 2014 bëhet 31 cent, sheqeri nga 72 cent kilogrami bëhet 62 cent, qumështi nga 91 cent mesatarisht bëhet 78 cent, vaji nga 1 euro e 23 cent bëhet 1 euro e 6 cent sepse ne duam që nevojave elementare tua heqim TVSH’ne dhe t’i lirojmë ndërkaq luksi që i korrespondon regjistrit të dëshirave ai të shtrenjtohet” ishte shprehur kryeministri në intervistën e dhënë vite më parë.

Mirëpo një premtim i tillë i Kurtit është shumë larg realizimit, madje çdo ditë po vërtetohet e kundërta.

Në Kosovë aktualisht ka rritje të çmimit të naftës, miellit, vajit, qumështit e shumicës së artikujve tjerë ushqimorë, teksa ende nuk ka ndryshim të pagës minimale.

Kryeministri sot ia la fajin gjendjes në Ukrainë për rrethanat e krijuara, duke thënë se çmimet nuk i vendos as ai, e as Qeveria që drejtohet nga ai.

Kurti arsyetohet për shtrenjtimet: Çmimet s’i vendos Qeveria, aq më pak unë