Kurti para ambasadorëve: Zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë lidhet me synimet hegjemoniste ndaj Kosovës
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zhvillimet e fundit gjeopolitike dhe rritja e tensioneve në rajon kërkojnë angazhim më të madh diplomatik dhe forcim të partneriteteve ndërkombëtare. Duke folur në konferencën e ambasadorëve të Kosovës, Kurti tha se diplomatët duhet të jenë më aktivë edhe në luftimin e dezinformimit dhe promovimin…
Lajme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zhvillimet e fundit gjeopolitike dhe rritja e tensioneve në rajon kërkojnë angazhim më të madh diplomatik dhe forcim të partneriteteve ndërkombëtare.
Duke folur në konferencën e ambasadorëve të Kosovës, Kurti tha se diplomatët duhet të jenë më aktivë edhe në luftimin e dezinformimit dhe promovimin e interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Diplomatët e ditëve të sotme duhet të merren edhe me menaxhimin e informacionit, edhe me luftimin e dezinformimit dhe me ruajtjen e besimit nga publiku”, tha Kurti.
Ai e cilësoi situatën e sigurisë në rajon si të ndjeshme, duke veçuar ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor dhe zhvillimin e kapaciteteve ushtarake të Serbisë.
“Zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë nuk është thjeshtë përpjekje për të modernizuar ushtrinë e saj, por një strategji më e gjerë politike dhe diplomatike, e cila lidhet drejtpërdrejt me synimet e saj hegjemoniste karshi rajonit tonë e në veçanti Kosovës”, deklaroi ai.
Sipas Kurtit, retorika e liderëve serbë dhe thirrjet për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve ushtarake dëshmojnë, sipas tij, vazhdimësinë e pretendimeve ekspansioniste të Serbisë në rajon.
Kryeministri foli edhe për ndikimin e luftës në Ukrainë dhe ndryshimin e natyrës së kërcënimeve të sigurisë.
“Që nga koha e agresionit rus kundër Ukrainës, supozimet e dikurshme mbi paqen dhe stabilitetin të ndërtuara pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, nuk qëndrojnë më”, u shpreh Kurti.
Ai tha se Kosova po e orienton politikën e saj të sigurisë drejt forcimit të institucioneve demokratike, rritjes së kapaciteteve të sigurisë dhe thellimit të bashkëpunimit me aleatët.
“Për Kosovën, kjo nënkupton thellimin e marrëdhënieve me SHBA-të dhe aleatët e tjerë të cilët ndajnë të njëjtat vlera dhe mbeten të përkushtuar për të ruajtur një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, tha Kurti.
Në fjalimin e tij, ai vlerësoi edhe rolin e NATO-s në Kosovë dhe rajon, duke e cilësuar praninë e saj si faktor kyç për ruajtjen e stabilitetit.
Kurti përmendi edhe disa nga zhvillimet që i konsideroi si arritje të Kosovës në politikën e jashtme, duke përfshirë njohjet e reja, avancimin në organizata ndërkombëtare dhe procesin e integrimit evropian.
Sipas tij, gjatë vitit 2025 Kosova ka marrë njohje nga Kenia, Sudani, Siria dhe Bahamet, ndërsa ka avancuar edhe në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Ai theksoi gjithashtu se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe se gjatë periudhës së fundit ka siguruar anëtarësim në 15 organizata ndërkombëtare.
Kurti foli edhe për ekonominë, duke thënë se sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova pritet të ketë rritjen më të lartë ekonomike në Evropë, prej rreth 4 për qind.
“Gjatë vitit të kaluar investimet e huaja direkte kanë kaluar për herë të parë shumën prej 1 miliard eurosh”, deklaroi ai.
Në fund, Kurti tha se Qeveria do të vazhdojë punën për avancimin e Kosovës drejt statusit të vendit kandidat të BE-së dhe për fillimin e negociatave për anëtarësim. /Lajmi.net/