Kurti pa legjitimitet, perëndimorët e takojnë vetëm jashtë institucioneve
Zyrtarët e lartë ndërkombëtarë që po e vizitojnë Kosovën nuk po e takojnë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në zyrën e tij pasi nuk duan t’i japin përkrahje një qeverie pa legjitimitet të plotë, thonë analistët politikë. Sipas tyre, ky është një mesazh politik i distancës me qeverinë aktuale në detyrë. Kosova nuk ka themeluar…

Lajme
Zyrtarët e lartë ndërkombëtarë që po e vizitojnë Kosovën nuk po e takojnë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në zyrën e tij pasi nuk duan t’i japin përkrahje një qeverie pa legjitimitet të plotë, thonë analistët politikë.
Sipas tyre, ky është një mesazh politik i distancës me qeverinë aktuale në detyrë.
Kosova nuk ka themeluar institucionet edhe gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe, vendin e ka vizituar përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, dhe së fundmi zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, David Baker, të cilët kanë zhvilluar takime me Kurtin, por jo në Zyrën e Kryeministrit, mirëpo në darka zyrtare.
Ndërkaq, Gjykata Supreme, javë më parë ka marrë vendim ku thekson se ushtrimi i detyrës së ministrit, njëkohësisht edhe deputet i certifikuar, është në shpërputhje me dispozitat kushtetuese.
Profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, thotë për KosovaPress, se takimet e Kurtit me përfaqësuesit ndërkombëtarë që po e vizitojnë Kosovën po zhvillohen jashtë institucioneve shtetërore, për shkak se të njëjtit nuk duan t’i japin përkrahje kryeministrit në detyrë.
“Ka arritur në qeveri të restauronit. Kjo është logjika në të cilën po e përcjellë zoti Kurti me vetëdije dhe apo pa vetëdije. Kjo është normale pasi perëndimorët punojnë sipas ligjeve dhe kushtetutës. Kushtetuta e Kosovës nuk e njeh që ka gjysmën e qeverisë edhe deputetë dhe ministra e kryeministër. Kjo është një anomali sesi e perceptojmë në ligjin dhe kushtetutën. Ndërkombëtarët po e takojnë në restorante pasi nuk dëshirojnë të jenë pjesë e përkrahjes në mënyrë të tërthortë të ndonjë individi apo qeverie që s’ka legjitimitet të plotë”, thotë ai.
Ndërkaq, ish-diplomati, Blerim Canaj, thotë se institucionet aktuale nuk kanë legjitimitet, prandaj ndërkombëtarët Kurtin po e takojnë më shumë si kryetar i LVV-së.
Sipas tij, zhvendosja e takimeve në ambiente jozyrtare është një mesazh politik: bashkësia ndërkombëtare po mban distancë nga qeveria aktuale.
“Shtetet e së drejtës zakonisht iu referohen vendimeve të gjykatave. Vendimi i Gjykatës Supreme faktikisht e ka bërë të qartë që ne nuk kemi institucione legjitime dhe ata janë më të rezervuar që të komunikojnë, për shembull me Albin Kurtin si kryeministër apo me ministrat, për të cilët po thuhet që janë ministra… Për shembull, zakonisht nëpër zyrat e ambasadave ftohen përfaqësuesit e partive politike ose shkohet në zyra të partive politike, por nuk shkohet në institucion, për shkak se thjesht institucioni komunikon me institucionin. Nëse neve na vjen kryeministri i një shteti, ai komunikon me kryeministrin e shtetit tonë si institucion, por kryeministri i shtetit tonë tani është me një vendim të Gjykatës Supreme, nuk është më kryeministër. Dhe natyrisht që pastaj takohen nëpër zyra të ndryshme, që nënkupton se thjesht po takojnë një person të një partie politike, i cili ka predispozita që të jetë kryeministër dhe diskutojnë temat”, thekson ai.
Pas 54 dështimesh për konstituim të Kuvendit, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim të premten ku vendosi që deputetët të zgjedhin kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur brenda 30 ditëve. Po ashtu, Kushtetuesja përcaktoi që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm deri në tri herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.
Partitë parlamentare asesi nuk kanë mundur të zgjedhin trupat e Kuvendit, ku kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në gjashtë tentime me votim të hapur nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme, ndërsa në 48 tentime ka dështuar të formohet komisioni për votim të fshehtë, i cili u konsiderua jokushtetues nga gjykata./kp