Kurti nuk e lëshon nga goja fjalën luftë, ekonomisti thotë se kjo “trembë” investitorët

Deklaratat e vazhdueshme të krerëve të shtetit tonë se Serbia po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës, po ndikojnë negativisht në aspektin ekonomik. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe liderët e vendit të jenë më të kujdesshëm siç thotë ai me mesazhet që po përçojnë tek përfaqësuesit…

Lajme

07/07/2024 13:15

Deklaratat e vazhdueshme të krerëve të shtetit tonë se Serbia po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës, po ndikojnë negativisht në aspektin ekonomik. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe liderët e vendit të jenë më të kujdesshëm siç thotë ai me mesazhet që po përçojnë tek përfaqësuesit e jashtëm. Këto deklarata për pasigurinë dhe paralajmërimet për ndonjë sulm të ri, sipas tij po bëhen pengesë për thithjen e investimeve të huaja në vend.

Rafuna thotë se pavarësisht që temat me Serbinë janë të hapura, kjo çështje sipas tij nuk duhet të jetë pengesë që shteti të punojë më shumë për të sjellë investime të huaja në Kosovë dhe për të dëshmuar që vendi është shtet stabil dhe miqësor.

Kreu i OEK-ut, Rafuna në një intervistë për KosovaPress ka folur edhe për bashkëpunimin me Shqipërinë dhe ka kërkuar të thellohet edhe më shumë.

Duke folur për zhvillimin ekonomik të vendit, Rafuna vlerëson se përfaqësuesit e shtetit duhet të përçojnë sa më shumë mesazhe pozitive që Kosova është vend i qetë dhe stabil i të berit biznes.

Sa i përket bashkëpunimit ekonomik me Tiranën, Rafuna thotë se propozimi i OEK-ut është që në kufirin Kosovë-Shqipëri të kalohet me një sistem unik të vlerës së shtuar dhe malli të mos i nënshtrohet procedurave doganore.

Rafuna rithekson se me liberalizimin e vizave ka rënë edhe qarkullimi i bizneseve.

Megjithatë, ai thotë se pavarësisht liberalizimit, pritjet janë që të ketë një fluks të diasporës dhe në këtë drejtim të shtohet qarkullimi financiar te bizneset.

Duke folur për sfidat e bizneseve, Rafuna uron që të ndryshojë qasja e qeverisë karshi sektorit privat, dhe në çdo vendim që prek bizneset të kërkohet edhe opinioni i tyre.