Kurti në “Livadhet e Arapit” shpërfill ftesën e Prokurorisë – Njohësit thonë se mund të arrestohet pasi s’ka imunitet që e përjashton nga dhënia e dëshmisë

As sot kryeministri Albin Kurti nuk u paraqit në objektin e Prokurorisë Speciale përkundër faktit se kjo e fundit e ka ftuar për të tretën herë që të dëshmojë në rastin e ‘Rezervave Shtetërore’, madje për mosparaqitjen e fundit Kurti pati një arsye krejtësisht të çuditshme. Ai vendosi që të marrë pjesë në përurimin e…

Lajme

04/03/2025 12:36

As sot kryeministri Albin Kurti nuk u paraqit në objektin e Prokurorisë Speciale përkundër faktit se kjo e fundit e ka ftuar për të tretën herë që të dëshmojë në rastin e ‘Rezervave Shtetërore’, madje për mosparaqitjen e fundit Kurti pati një arsye krejtësisht të çuditshme.

Ai vendosi që të marrë pjesë në përurimin e një çerdheje në Gjilan, në po të njëjtën orë që Kurti u ftua për intervistim, saktësisht në ora 10:00, raporton lajmi.net.

Kurti vendosi që të refuzojë madje edhe kërkesën për urdhër-paraqitje që të premten ia përcolli Gjykata Themelore në Prishtinë. Kësisoj Kurti sot u paraqit në Gjilan, nga ku “sulmoi” prokurorët duke i kritikuar se duan të merren më tepër me qeverinë e tij, se sa me luftimin e krimit e korrupsionit.

Në lidhje me mos-dhënien e dëshmisë dhe mos-paraqitjen e tij në Prokurori, lajmi.net ka kontaktuar drejtorin ekzekutiv të IKD-së, Ehat Miftaraj.

Miftaraj tha për se një kryeministër duhet të bashkëpunojë me institucionet e vendit e jo ti refuzojë ato, tutje ai tha se sa i përket aspektit procedural, ndaj Kryeministrit Kurti tashmë ka një urdhër të Gjykatës që i njëjti të dëshmojë.

“Fillimisht, duhet theksuar faktin se skena e refuzimit të Kryeministrit për të dhënë dëshminë e tij, në cilësi të dëshmitarit, nuk paramendohet të ndodhë një shtet që udhëhiqet nga parimet e qeverisjes së mirë dhe në të cilin ka sundim të ligjit. Pa paragjykuar përfundimin e asnjë rasti, një Kryeministër duhet të bashkëpunojë dhe jo ti refuzojë institucionet e sistemit të drejtësisë. Sa i përket aspektit procedural, ndaj Kryeministrit tanimë ka një urdhër të Gjykatës që i njëjti të dëshmojë”, tha fillimisht ai.

Gjithashtu, Drejtori i IKD-së shtoi se mos paraqitja e Kryeministrit në këtë rast tanimë nuk është vetëm mos përgjigje ndaj ftesës së Prokurorisë por edhe mos përgjigje ndaj urdhrit të Gjykatës dhe se Gjykata sipas njoftimit të Prokurorisë, shqipton gjobë deri në 250 euro dhe mund të urdhërojë burgosjen deri në një muaj.

Mos paraqitja e Kryeministrit në këtë rast tanimë nuk është vetëm mos përgjigje ndaj ftesës së Prokurorisë por edhe mos përgjigje ndaj urdhrit të Gjykatës. Sipas nenit 132 të Kodit të Procedurës Penale, në këtë situatë, pas refuzimit të Kryeministrit për të dëshmuar, Gjykata, sipas njoftimit të Prokurorisë, shqipton gjobë deri në 250 euro dhe cakton një datë të re, në të cilën e obligon në këtë rast dëshmitarin të paraqitet për të dëshmuar. Nëse përsëri dëshmitari nuk paraqitet, atëherë Gjykata mund të urdhërojë burgosjen deri në 1 muaj”, u shpreh ai.

Tutje Miftaraj është pyetur se a bien ndesh zyrtarët policorë të Mbrojtjes së Afërt me zyrtarët e tjerë policorë e tjerë në rast të urdhrit për arrestimin e kryeministrit, ku tha se Mbrojtja e Afërt është për t’i ofruar siguri kryeministrit në rast se i cenohet siguria, por jo për të ndërhyrë në zbatimin e urdhrave të ligjshëm.

Ndryshe edhe avokati Skënder Musa në një prononcim për lajmi.net tha se pasi Prokuroria Speciale e ka ftuar Kurtin të dëshmojë ai mund të gjobitet, por edhe t’i shqiptohet masa e arrestit me paraburgim prej një muaj. Kjo sepse sipas Musës pozita e tij nuk e parasheh asnjë lehtësim sepse para ligjit të gjithë janë të barabartë, pa marrë parasysh pozitën.

“Nuk ka imunitet asnjë njeri që thirret me dëshmu për vepra penale të korrupsionit dhe ministrat dhe kryeministri nuk kanë imunitet për mos me dëshmu se lidhet me punën e tyre. Ligji e parasheh obligim për secilin qytetar për me dëshmu me qëllim të zbardhjes të çështjes penale. Për atë që e ka pa që janë në dijeni dhe çka ka dëgju. Për mosparaqitje në Gjykatë dispozita ligjore e parasheh që dëshmitari mundet me u gjobit me 250 euro mirëpo nuk e parasheh sa here mundet me u ndëshku nëse nuk paraqitet atëherë parashihet e drejta e urdhëresës së Prokurorisë edhe me u arrestu dhe e gjykatës me i shqiptu paraburgim 1 muaj”, tha Musa për lajmi.net.

Musa tha se nuk ka asnjë lloj imuniteti qe e përjashton kryeministrin për dhënie te dëshmisë me vepër penale qe lidhet me ato çka ai ka njohuri.

“Nuk ka asnjë lloj imuniteti qe e përjashton kryeministrin për dhënie te dëshmisë me vepër penale qe lidhet me ato çka ai ka njohuri dhe qe lidhet me punën e tij. Ne mënyrë absolute Kushtetuta e parasheh kodi i procedurës penale që secili qytetarë është i obliguar me dëshmu”, tha ai për Lajmi.net.

Kujtojmë se qysh më 10 dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që të paraqitet më datë 16.12.2024 në ambientet e tyre. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është i thirrur si dëshmitar në lëndën PPS.nr.62/2023, në një rast që ka të bëjë me veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar. Numri i lëndës që gjendet në thirrjen dërguar kryeministrit (të publikuar nga Kryeziu) përputhet me atë të rastit të rezervave shtetërore.

Në ftesën e Prokurorisë që e kishte publikuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, thuhej ndër të tjera se Kurti është i detyruar t’i përgjigjet thirrjes.

“Në rast të mosparaqitjes, do të jetë shkas që t’ju detyrojmë të paraqiteni dhe mund të dënoheni me gjobë deri 250 euro për çdo mosparaqitje”, shkruhet në thirrjen e Kurtit si dëshmitar nga Prokuroria Speciale.

Deri më tani, Kurti ka pasur tri thirrje nga Prokuroria Speciale. I njëjti, vazhdon të këmbëngul që të intervistohet nga Prokuroria Speciale në Kryeministri, anipse tashmë ai ka pranuar edhe një urdhër-paraqitje nga gjykata.

Madje Kurti insiston që intervistimi t’i bëhet në zyrën e tij në Qeveri, e që sipas tij një “avaz” i tillë ishte përdorur edhe me zyrtarë të tjerë shtetërorë.

“Unë asnjëherë nuk kam thënë se s’do të jap dëshmi, përkundrazi kam thënë se jam jo i gatshëm por edhe i interesuar që të dëshmojë. Në anën tjetër kam shkruar letër në të cilën kam treguar oraret se ku mund të bëhet dëshmia. E mirëpres Prokurorinë e Shtetit në zyrën e kryeministrit, ka pasur raste edhe në të kaluarën kur kanë ardhur për kryeministra, madje jo vetëm si dëshmitarë, por edhe si të pandehur”, tha Kurti, shkruan lajmi.net.

“Qysh në muajin dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim dhe të jepet dëshmia nga ana ime, nëse Prokuroria e ka pas shumë të rëndësishme dëshminë time do të vinte tek ne.Një prokuror që e ka synim kryesor dëshminë e dëshmitarit ai nuk humb kohë, pra shtrohet pyetja pse i humb prokuroria këto… për shkak se është më e interesuar të mbushë ballinat e portalit të ndonjë oligarkut se sa të sjellë dëshmi. Po e përdor e keqpërdorë lirinë për të luftuar qeverinë dhe jo krimin e korrupsionit. Kam qenë dhe jam i gatshëm që të dëshmojë. S’ka qeveri që e ka luftuar krimin dhe korrupsionin sikurse qeveria jonë në këto katër vite dhe po ashtu këtë e dëshmojnë qytetarët me mbështetjen masive që na kanë dhënë në këto zgjedhje”,tha sot Kurti në Gjilan./Lajmi.net/