Kurti në darkën e Qarkut Diplomatik të Parisit: Foli për angazhimin dhe vlerën e shtuar të anëtarësimit të Kosovës në BE dhe NATO

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka qenë mbrëmë i ftuar në darkën e shtruar nga Qarku Diplomatik i Parisit, ku kanë marrë pjesë edhe personalitete të tjera të hallkave diplomatike, politike dhe ekonomike të Francës. Në adresimin e tij para të pranishmëve, ZKM ka thënë se kryeministri foli për rëndësinë e solidaritetit dhe…

Lajme

29/10/2025 14:24

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka qenë mbrëmë i ftuar në darkën e shtruar nga Qarku Diplomatik i Parisit, ku kanë marrë pjesë edhe personalitete të tjera të hallkave diplomatike, politike dhe ekonomike të Francës.

Në adresimin e tij para të pranishmëve, ZKM ka thënë se kryeministri foli për rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve demokratike në avancimin e mëtejmë të shoqërive tona dhe në përballje me sfidat e përbashkëta. Ai theksoi nevojën, si dhe rëndësinë, që në rrugëtimin përpara të vendeve evropiane vlerat dhe interesat të ecin gjithmonë bashkë.

 “Kryeministri gjithashtu foli për angazhimin dhe vlerën e shtuar të anëtarësimit të Kosovës dhe gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe NATO. Ai tha se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është në vetë interesin ekonomik dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të tij. Në këtë drejtim, ai shtoi se u përket atyre që besojnë se zgjerimi i jashtëm i Bashkimit Evropian dhe reformat e brendshme të tij shkojnë krah për krah. Vetëm një Evropë që dëshiron të reformohet nga brenda mund të zgjerohet nga jashtë, dhe vetëm një Evropë që dëshiron të zgjerohet nga jashtë mund të reformohet suksesshëm nga brenda; zgjerimi i jashtëm dhe reformat e brendshme janë njëkohësisht mundësi dhe kushte të njëra-tjetrës, u shpreh kryeministri”, thuhet në komunikatë. 

 

Kryeministri Kurti sot merr pjesë në edicionin e tetë të Forumit të Paqes në Paris, me ftesë të Presidentit të Republikës së Francës, Emmanuel Macron. /Lajmi.net/