Kurti në darkë tek Rohde takon drejtorin gjerman për Ballkanin Perëndimor, zgjedh të flas për “lajme të rreme” e “fushata dezinformuese”

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar mbrëmë Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel bashkë me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, në një darkë të shtruar nga ambasadori në rezidencën e tij. Siç ka njoftuar ZKM, ata kanë diskutuar për marrëdhëniet…

Lajme

11/08/2025 12:54

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar mbrëmë Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel bashkë me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, në një darkë të shtruar nga ambasadori në rezidencën e tij.

Siç ka njoftuar ZKM, ata kanë diskutuar për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin bilateral ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, sidomos në fushën e ekonomisë dhe investimeve të huaja, situatën në rajonin e Ballkanit perëndimor dhe integrimet evropiane, si dhe për zhvillimet e fundit në vend dhe aktualitetin politik.

“Kryeministri veçoi performancën ekonomike pozitive të vendit në gjashtëmujorin e parë të vitit, rezultatet e politikave të punësimit dhe mbarëvajtjen e punës së institucioneve qeveritare dhe të shtetit, përfshirë të drejtat e pakicave dhe mirëqenien e tyre. Ndër të tjera, ai shprehu shqetësimin e tij për rreziqet që paraqesin dhe vështirësitë që shkaktojnë fushatat dezinformuese dhe lajmet e rrejshme në shtrembërimin e të vërtetave dhe krijimin e narrativave të dëmshme për shoqëritë dhe institucionet demokratike. Kryeministri Kurti falënderoi z. Reiffenstuel për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit gjerman ndaj Republikës së Kosovës”, ka njoftuar ZKM. /Lajmi.net/