Kurti në akademinë përkujtimore për Zijah Shemsiun vlerëson lartë kontributin e tij

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore me rastin e shënimit të 40-vjetorit të rënies së veprimtarit të shquar politik, Zijah Shemsiu. “Zijah Shemsiu u vra nga torturat e autoriteteve jugosllave të sigurimit, siç ishte vrarë 21 vite më parë në burgun e Prishtinës, Fazli Greiçevci. Ata e paguan me…

Lajme

05/05/2025 20:41

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore me rastin e shënimit të 40-vjetorit të rënies së veprimtarit të shquar politik, Zijah Shemsiu.

“Zijah Shemsiu u vra nga torturat e autoriteteve jugosllave të sigurimit, siç ishte vrarë 21 vite më parë në burgun e Prishtinës, Fazli Greiçevci. Ata e paguan me jetën e tyre veprimtarinë e tyre politike dhe angazhimin e tyre për realizimin e vullnetit politik të shqiptarëve të shtypur nën Jugosllavi. Zijah Shemsiu vdiq në një kohë kur thirrja ‘Kosova Republikë; ishte një parullë popullore, kurse sot, 40 vjet më pas, katër dekada më vonë, ai po kujtohet në Republikën e Kosovës, kur kjo parullë tashmë është realitet politik.” u shpreh Kurti.

Kurti kujtoi rolin e Zijah Shemsiut dhe bashkëveprimtarëve, aktivizmin e tyre politik dhe hartimin, shkrimin dhe nënshkrimin eletrës të titulluar “Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundërrevolucion”.

“Kjo letër proteste i drejtohej Kryesisë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe kishte për qëllim t’i sqaronte shkaqet, arsyet dhe rrethanat e karakterin e vërtetë të demonstratave të vitit 1981. Në të vërtetë ajo nuk ishte thjesht një letër burgu dhe as një pamflet, por një traktat politik i mbushur me argumente logjike e shkencore dhe teorizime sociale e politike.” u shpreh kryeministri në detyrë.

“E kujtojmë bashkë me shokët e bashkëveprimtarët e tij, shumë prej të cilëve janë edhe këtu sot mes nesh, meqënëse politika pa historinë nuk është gjë tjetër përveçse përhumbje: pa kohë dhe pa themele, pa ide e pa kuptim. Lavdi Zijah Shemsiut, mes mirënjohjesh e nderimesh për brezin e demonstratave të viteve 1968 dhe 1981, si dhe ndër të gjithë ata që janë angazhuar në pafund mënyra për jetësimin e vullnetit politik të shqiptarëve.” përfundoi fjalën e tij Kurti.