Kurti nderon vëllezërit Bytyqi në 25 vjetorin e vrasjes: Dëshmi e qartë e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka nderuar vëllezërit Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi, në 25-vjetorin e vrasjes së tyre nga Serbia. Ai me këtë rast ka thënë se mos ndëshkimi dhe dhimbja për krimet e Serbisë në Kosovë ende po vazhdojnë. “Vëllezërit Bytyqi janë dëshmia e qartë e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe në…

Lajme

28/09/2024 20:52

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka nderuar vëllezërit Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi, në 25-vjetorin e vrasjes së tyre nga Serbia.

Ai me këtë rast ka thënë se mos ndëshkimi dhe dhimbja për krimet e Serbisë në Kosovë ende po vazhdojnë.

“Vëllezërit Bytyqi janë dëshmia e qartë e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe në të njëjtën kohë e mungesës së plotë të vullnetit dhe gatishmërisë së shtetit të Serbisë për të dhënë përgjegjësi për krimet e bëra dhe për të sjellë drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre”.

“Thirrjet tona bashkë me ato të shtetit amerikan, kanë qenë pareshtur të zëshme në kërkim të vendosjes së drejtësisë dhe zbardhjes së krimit. Në Nju Jork, vizituam varrezat e tyre, aty ku kujtimi për ta, është rikujtim për drejtësinë që ende mungon”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi u vranë nga aparati shtetëror gjenocidal serb në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë. Trupat e tyre u zbuluan dy vjet më vonë, në një varrezë masive në Petrovo Sello në Serbi, bashkë me shqiptarë të tjerë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.