Kurti me ‘agjendë të ngarkuar’ në Nju Jork, njofton se ka takuar Kryeministrin e Belizesë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim bilateral me homologun e tij të Belizesë, John Briceño, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Në takim, ku ishin të pranishëm edhe zëvendësministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës,…

Lajme

26/09/2025 20:05

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim bilateral me homologun e tij të Belizesë, John Briceño, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Në takim, ku ishin të pranishëm edhe zëvendësministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, dhe konsulli i përgjithshëm i Kosovës, Blerim Reka, u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe sektorët me potencial për investime të huaja, si dhe për fushat e edukimit, turizmit, politikave sociale, punësimit dhe kulturës.

ZKM’ja përmes një komunikate për media tha se Kurti e njoftoi kryeministrin Briceño për progresin e Kosovës në ekonomi, demokraci dhe siguri, duke e falënderuar për mbështetjen e Belizesë në proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Ai gjithashtu theksoi angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Belize, si pjesë e misionit të përbashkët me ushtrinë e Mbretërisë së Bashkuar.

Dy kryeministrat e ftuan njëri-tjetrin për vizita zyrtare dhe u pajtuan për intensifikimin e shkëmbimeve në fusha me interes të përbashkët.

Belize e njohu Kosovën në vitin 2008, ndërsa marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u vendosën në vitin 2016. Në vitin 2021, në Nju Jork, u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi për konsultime bilaterale mes ministrive të jashtme, me synim forcimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë marrëdhëniet ndërkombëtare, të drejtat e njeriut, paqen dhe sigurinë.