Kurti: Marrëdhënia ndërmjet shqiptarëve dhe amerikanëve ka qenë e veçantë qysh nga shekulli XIX

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se raportet mes shqiptarëve dhe amerikanëve përfaqësojnë një lidhje të veçantë historike, e cila sipas tij nuk është krijuar vetëm gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë, por ka nisur shumë më herët përmes diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Kurti i bëri këto komente…

Lajme

24/07/2026 10:12

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se raportet mes shqiptarëve dhe amerikanëve përfaqësojnë një lidhje të veçantë historike, e cila sipas tij nuk është krijuar vetëm gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë, por ka nisur shumë më herët përmes diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Kurti i bëri këto komente gjatë një takimi në zyrën e tij me një grup vizitorësh nga Kalifornia, Uashingtoni, Ishulli i Manit dhe Bullgaria, të cilët po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të programit “Ethno Tour 2026”, të organizuar nga antropologia Janet Reineck, transmeton lajmi.net.

Sipas Kurtit, historia e bashkëpunimit dhe afërsisë mes dy popujve lidhet me valët e para të emigrimit shqiptar drejt SHBA-së në shekullin XIX, duke përmendur edhe kontributin e diasporës në organizimin dhe përfaqësimin e çështjes shqiptare.

Ai ka thënë se kjo rrugëtim historik ka çuar edhe në themelimin e Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” në Boston në vitin 1912.

“Që nga mbështetja e Presidentit Woodrow Wilson deri te ndikimi i priftit dhe mendimtarit shqiptar në mërgim, Fan Noli, diaspora jonë ka luajtur një rol kyç në ndërtimin dhe ruajtjen e kësaj lidhjeje të çmuar”, shkroi Kurti.

Gjatë takimit me Janet Reineck, kryeministri në detyrë tha se është diskutuar për zhvillimin e Kosovës dhe rëndësinë që ka diaspora shqiptare në promovimin e vendit.

“Mërgata jonë e dashur janë ambasadorët tanë masivë, duke ardhur gjithmonë në vendlindje dhe duke e promovuar atë”, u shpreh kryeministri në detyrë.

Kurti bëri të ditur se pjesë e diskutimeve me pjesëmarrëset e programit “Ethno Tour 2026” ishin edhe tema që lidhen me të drejtat e njeriut, kulturën, arsimin, shërbimet për të moshuarit, bujqësinë dhe ekonominë.

Ai theksoi se grupi i vizitoreve përbëhet nga profesioniste të fushave të ndryshme, përfshirë inxhinierinë mjedisore, planifikimin urban, shëndetësinë, arsimin dhe teknologjinë informative.

Postimi i plotë: 

Pata kënaqësinë të mirëpres në kryeministri mysafire nga Kalifornia, Uashingtoni, Ishulli i Manit dhe Bullgaria, të cilat po vizitojnë Kosovën në kuadër të “Ethno Tour 2026” të Janet Reineck, që të gjitha profesioniste të fushave të ndryshme, si inxhinieria mjedisore, planifikimi urban, shëndetësia, arsimi, teknologjia e informacionit dhe komunikimit etj. Së bashku diskutuam për të drejtat e njeriut dhe kulturën, edukimin, shërbimet për të moshuarit, bujqësinë, ekonominë etj.
Si përherë kur takohem me miken time të dashur Janet, edhe këtë herë biseduam për progresin në Kosovë si dhe mërgatën tonë të dashur, të cilët janë ambasadorët tanë masivë, duke ardhur gjithmonë në vendlindje dhe duke e promovuar atë.
Marrëdhënia ndërmjet shqiptarëve dhe amerikanëve ka qenë e veçantë jo vetëm nga fundi i shekullit të kaluar dhe lufta çlirimtare por që nga ardhja e emigrantëve të parë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara qysh në shekullin XIX. Kjo çoi në themelimin e Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” në Boston, në vitin 1912. Që nga mbështetja e Presidentit Woodrow Wilson deri te ndikimi i priftit dhe mendimtarit shqiptar në mërgim, Fan Noli, diaspora jonë ka luajtur një rol kyç në ndërtimin dhe ruajtjen e kësaj lidhjeje të çmuar.
Edhe një herë, mirë se vini në Kosovë./lajmi.net/