​Kurti kujton Fehmi e Xhevë Lladrovcin dhe 2 bashkëluftëtarët: Ranë duke mbrojtur civilët e Drenicës

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, Fatime Hetemin e Shefqet Zekën, në 28-vjetorin e rënies së tyre. Ai ka theksuar se 4 luftëtarët e UÇK-së ranë duke mbrojtur popullsinë civile të Drenicës nga forcat serbe. Në përkujtimin e tij, Kurti ka rikujtuar betejën e 22 shtatorit 1998 në fshatin Gradinë. Atë ditë…

Lajme

22/09/2026 22:33

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, Fatime Hetemin e Shefqet Zekën, në 28-vjetorin e rënies së tyre. Ai ka theksuar se 4 luftëtarët e UÇK-së ranë duke mbrojtur popullsinë civile të Drenicës nga forcat serbe.

Në përkujtimin e tij, Kurti ka rikujtuar betejën e 22 shtatorit 1998 në fshatin Gradinë. Atë ditë ranë Fehmi Lladrovci nga Gllanasella e Drenasit dhe bashkëshortja e tij, Xhevë Krasniqi nga Drenoci i Malishevës. Bashkë me ta ranë edhe Fatime Hetemi nga Bistrica e Shalës dhe Shefqet Zeka nga Prishtina.

“Ata po e mbronin popullsinë civile të Drenicës, nga forcat e armatosura të Serbisë që kishin depërtuar në drejtim të Çikatovës dhe Gllanasellës”, ka shkruar Kurti.

Duke folur për veprimtarinë e Fehmi Lladrovcit, kryeministri ka kujtuar burgosjen e tij politike gjatë viteve 1985–1991. Më pas, Lladrovci ishte aktiv mes emigrantëve politikë në Gjermani, deri në kthimin në Kosovë në mesin e vitit 1997. Sipas Kurtit, ai u kthye për të ndihmuar organizimin dhe rezistencën e armatosur.

Kurti e ka përshkruar komandantin e Brigadës 114 si njeri me përvojë, bagazh patriotik dhe integritet moral. Ai ka vlerësuar edhe lidhjen mes Fehmiut dhe Xhevës, e diplomuar për letërsi dhe drejtësi.

“Bashkë me gruan e tij, Xhevë Krasniqin, e diplomuar për letërsi dhe drejtësi, të dy përbënin një çift të përkryer që dashurinë mes tyre, e kishin sublimuar te dashuria për atdheun dhe liria e tij”, ka shkruar ai.

Në të njëjtën betejë ranë edhe Fatime Hetemi, shoqja e Xhevës, dhe Shefqet Zeka, luftëtar i brigadës së Fehmiut. Kurti ka rikujtuar se rënia e tyre ndodhi gjatë ofensivës së policisë dhe ushtrisë serbe ndaj UÇK-së.

“Lavdi Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqi Lladrovcit, lavdi Fatime Hetemit e Shefqet Zekës, që luftuan deri në vdekje me bindjen se liria e Kosovës do të jetë trofeu i luftës dhe i jetës së tyre!”, ka përfunduar Kurti.

Sot bëhen 28 vjet nga rënia e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci, dhe bashkëshortes së tij, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, njëra ndër luftëtaret e para të UÇK-së.

Fehmi dhe Xhevë Lladrovci ishin ndër figurat emblematike të organizimit dhe luftës për liri në Kosovë.