Kurti kujton 24 shqiptarët e zhdukur më 7 prill 1999: Serbia ende fsheh të vërtetën
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka kujtuar 7 prillin e vitit 1999 kur në afërsi të Lubeniqit 24 qytetarë u morën nga ushtria serbe dhe asgjë nuk dihet për ta. Më 7 prill të vitit 1999, në një zonë afër fshatit Lybeniq të Pejës, një grup ushtarësh serbë i zhdukën me dhunë 24 shqiptarë, prej…

Lajme
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka kujtuar 7 prillin e vitit 1999 kur në afërsi të Lubeniqit 24 qytetarë u morën nga ushtria serbe dhe asgjë nuk dihet për ta.
Më 7 prill të vitit 1999, në një zonë afër fshatit Lybeniq të Pejës, një grup ushtarësh serbë i zhdukën me dhunë 24 shqiptarë, prej të cilëve 11 civilë dhe 13 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
26 vite pas zhdukjes së tyre me dhunë, sot në fshatin Rashiq të Pejës, u zbulua një pllakë përkujtimore për memorializimin e këtyre 24 shqiptarëve: Hazir Bezeraj (1948), Januz Bezeraj (1939), Muhamed Bezeraj (1952), Abedin Shala (1980), Jeton Shala (1971), Nazmi Shala (1955), Sejdi Shala (1965), Selim Shala (1958), Valdet Shala (1981), Demë Shala (1954), Kushtrim Shala (1979), Agim Gjocaj (1957), Arben Gjocaj (1970), Lulzim Gjocaj (1973), Nazmi Gjocaj (1955), Selvete Gjocaj (1972), Syl Gjocaj (1976), Deli Bricori (1962), Bajram Velijaj (1976), Hasan Morina (1950), Rexhep Berisha (1962), Nebih Berisha (1970), Hazir Berisha (1948) dhe Avdi Berisha (1964).“Nga 7 prilli 1999 dhe deri më sot, ata rezultojnë të zhdukur dhe askush nuk ka arritur të gjejë asnjë informacion se çfarë ka ndodhur me ta. Serbia vazhdon t’i mbajë të paqasshme arkivat e ushtrisë dhe të policisë së saj, si dhe të refuzojë të bashkëpunojë plotësisht e për çdo rast për të dhënë informacione për të zhdukurit gjatë luftës”, ka shkruar kryeministri Kurti.
Ai thotë se të zhdukurit me dhunë të këtij rasti, si dhe të gjithë të rënët në rrugën e vështirë të popullit të Kosovës për liri, do të kujtohen përgjithmonë.
“Historia e tyre do të mbetet trashëgimi e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Lavdi!”, ka përfunduar Kurti.