Kurti kujton 11 shtatorin: Kosova bashkëndjen dhimbjen me SHBA-të

Kryetari i VV-së, Albin Kurti ka përkujtuar viktimat e 11 shtatorit të 2001-tës në SHBA.

Lajme

11/09/2019 11:09

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se Kosova bashkëndjen me dhimbjen e popullit amerikan, shkruan lajmi.net.

Ka shtuar se Kosova i është mirënjohëse SHBA-ve për ndihmën, përkrahjen dhe miqësinë e popullit amerikan.

Ky është postimi i plotë i tij në Facebook:

Më 11 shtator 2001, në një mëngjes të kthjellët, vdekja ra nga qielli. Mijëra njerëz me prejardhje nga e gjithë bota u vranë e me mijëra të tjerë u plagosën nga një sulm terrorist i cili tronditi gjithë botën.

Kosova bashkëndjen thellë me dhimbjen e popullit amerikan dhe familjet e viktimave. Ne e dimë se çdo të thotë humbja e njerëzve të pafajshëm pasi edhe sot jetojmë çdo ditë me dhimbjet dhe pasojat e luftës, me ankthin dhe vuajtjet për ata që ende janë të pagjetur.

Ne jemi mirënjohës për ndihmën, përkrahjen dhe miqësinë e popullit amerikan dhe të vendosur për luftimin e terrorizmit të të gjitha ngjyrave dhe krahëve. /Lajmi.net/