Kurti kritikohet për katër vjet qeverisje
Kosova ka stagnuar në të gjitha nivelet pasi s’ka pasur asnjë projekt zhvillimor në ekonomi, shëndetësi e arsim, vlerësojnë opozitarët dhe analistët politikë. Sipas tyre, kryeministri Albin Kurti, i cili është në përfundim të mandatit qeverisës, ka dëmtuar edhe marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë. Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj këtyre kritikave veçse në mbledhjen e…
Lajme
Kosova ka stagnuar në të gjitha nivelet pasi s’ka pasur asnjë projekt zhvillimor në ekonomi, shëndetësi e arsim, vlerësojnë opozitarët dhe analistët politikë.
Sipas tyre, kryeministri Albin Kurti, i cili është në përfundim të mandatit qeverisës, ka dëmtuar edhe marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë. Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj këtyre kritikave veçse në mbledhjen e fundit me kabinetin e tij, Kurti u mburr për punën 4-vjeçare.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, thotë se kryeministri Kurti nuk ka përmbushur premtimet e dhëna.
Sipas tij, kjo qeveri është “më e dobëta që ka pasur Kosova që nga paslufta”.
“Është e qartë edhe për qytetarët e Kosovës se nuk janë përmbushur premtimet që i ka pasur kjo qeveri. S’kemi parë asgjë nga puna e kësaj qeverie. S’kemi parë zhvillim ekonomik, njohje të reja, anëtarësim në organizata kredibile ndërkombëtare, as vende të reja të punës e as rritje të pagave. Kjo qeveri ka dështuar në të gjitha sferat e jetës. Mendoj që ka qenë një ndër qeveritë më të dobëta që ka pasur Kosova pas luftës…S’ka luftim të korrupsionit, shumë afera të ministrave të cilët janë në hetime, po ashtu ambasadorë, ministra me aktakuza, shumë zyrtarë publikë kanë keqpërdorur buxhetin e Kosovës…Është kryeministri i vetëm që s’ka arritur të shkojë në Shtëpi të Bardhë, nuk e ka takuar presidentin dhe as zëvendëspresidentin e SHBA-ve”, thotë Beqa.
Kritika ka edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.
Sipas tij, qeveria Kurti do të mbahet mend për “korrupsion masiv”. Ai përmend sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, “dëmtimin e raporteve me SHBA-të” dhe atyre ndërshqiptare.
“Në politika sektoriale s’kemi çka të flasim. Në procese rajonale njëjtë, pasi Kosova ka një raport të keq, negativ. Raportet brenda shqiptarëve janë të dëmtuara. Raportet me BE-në në sanksione financiare dhe kufizime politike. Me NATO-n janë raporte të kushtëzuara…Nëse ka përmirësuar sundimin e ligjit në veri të lumit Ibër, duke administruar dhe duke menaxhuar bojkotin institucional atje, është ajo çka ka rritur korrupsionin, mossundimin e ligjit dhe mafitë energjetike në Prishtinë…Është rritur korrupsioni masiv dhe krimi i organizuar në nivel të republikës. Rezervat shtetërore, mafia energjetike, subvencionet”, thekson Haziri.
Në anën tjetër, analisti politik, Albinot Maloku, thotë se kryeministri Albin Kurti s’ka arritur ta stabilizojë gjendjen ekonomike dhe t’i realizojë premtimet e dhëna gjatë vitit 2021, përkundër shumicës absolute në Kuvendin e Kosovës.
“Qeverisja e kryeministrit Kurti ka qenë në shpërputhje me të premtuarën. Ka pasur një diskrepancë të madhe mes asaj që është thënë se do të bëhet, dhe asaj që është bërë. Fiasko kemi në këputjen e kanaleve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. S’është se ka arritur të stabilizojë gjendjen ekonomike, përkundrazi kemi një ekonomi më të shkërmoqur se që ka qenë, sidomos kur flasim për atë që shpenzohet dhe të ardhurat ekonomike. Nuk mundem me thënë në asnjë mënyrë se ka qenë qeveria që është pritur, që duhej të ishte, sidomos duke nisur nga numri dhe fuqia që ka pasur në Kuvendin e Kosovës…Edhe qeveria aktuale ka provuar me metodat e veta, të cilat kanë dalur jo të mira, pasi tentimi për të shtrirë ligjshmërinë në atë pjesë të vendit e ka shkërmoqur fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës”, deklaron Maloku.
Por, të kundërtën e tha kryeministri Albin Kurti i cili në mbledhjen e fundit të qeverisë për vitin 2024, listoi dhjetë “arritjet kryesore” të ekzekutivit.
Liberalizimi i vizave për Kosovën, njohja e pasaportës së Kosovës prej dy shteteve mosnjohëse si Spanja dhe Armenia, u konsideruan si sukseset e para të qeverisë së Kosovës për vitin 2024.
Tutje, kryeministri Albin Kurti tha se edhe regjistrimi dhe inkasimi i energjisë elektrike në katër komunat veriore të vendit ndodhi këtë vit për herë të parë që nga paslufta.
“Së pari liberalizimi i vizave nga BE, Tajlanda, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Tajvani si dhe njohja e pasaportës nga dy shtete mosnjohëse si Spanja dhe Armenia. Viti 2024 ka qenë viti i pasaportës sonë. Ajo sot renditet më lartë se kurdoherë në indekset ndërkombëtare të pasaportave, sivjet është në mesin e top 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh në dekadën e fundit. Dy, këtë vit filloi regjistrimi dhe inkasimi i energjisë elektrike në 4 komunat tona në veri për herë të parë pas më shumë se dy dekadave. Gjatë këtij viti, gjithashtu, ka përfunduar me sukses procesi i konvertimit të patentë shoferëve ilegalë në ata të Kosovës, janë regjistruar mbi 6 mijë e 300 konvertime, shumica prej tyre nga qytetarët në katër komuna në veri të vendit, duke dëshmuar vullnetin dhe gatishmërinë për integrim e cila nuk ka munguar asnjëherë nga qytetarët, por është penguar në vazhdimësi nga strukturat ilegale dhe Beogradi zyrtar. Shumë prej këtyre strukturave ilegale janë mbyllur sepse janë të jashtëligjshme”, deklaroi kryeministri Kurti më 27 dhjetor.
Qeveria Kurti e ka marrë mandatin në mars të vitit 2021, ndërkaq zgjedhjet e reja parlamentare do të mbahen me 9 shkurt të vitit 2025.