Kurti e quan “luftë hibride” diskutimin për doracakët e edukatës seksuale: Përballë propagandës dhe kauzave të paqena, politika jonë për fëmijët dhe familjet vazhdon

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar sot për herë të parë ndaj debatit publik që u bë për doracakët e edukimit seksual në shkollat e vendit. Kurti përmes një postimi në Facebook e ka quajtur këtë si “fushate të egër propaganduese”, shkruan lajmi.net. “Të pa interesuar për të vërtetën e plotë dhe për kritikën…

Lajme

17/11/2024 20:01

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar sot për herë të parë ndaj debatit publik që u bë për doracakët e edukimit seksual në shkollat e vendit.

Kurti përmes një postimi në Facebook e ka quajtur këtë si “fushate të egër propaganduese”, shkruan lajmi.net.

“Të pa interesuar për të vërtetën e plotë dhe për kritikën në shërbim të përmirësimit dhe përparimit, përfaqësues të partive politike, pretendentë për të qenë parti politike, e komentatorë që mbase synojnë politikën, iu rrekën sulmeve ndaj qeverisë duke u paraqitur si kinse gardian të familjes. Çdo pretendim i tyre, doli të jetë i pavërtetë. Doracakët në fjalë, asnjëherë nuk kanë qenë kurrikulë, as tekste shkollore, as lëndë obligative, as tekst obligativ apo tekst për nxënës. Në fund e kuptuam që po i njëjti doracak kishte filluar hartimin në vitin 2016 (kur ministër i Arsimit ishte Dr. Arsim Bajrami nga PDK), e ishte i miratuar në vitin 2020 (kur ministre e Arsimit ishte Dr. Hykmete Bajrami nga LDK), dhe në vitin 2023 është publikuar në faqen e MAShTI-t. Pra, jo në nëntorin e vitit 2024 por në gusht të vitit 2023”, ka shkruar Kurti.

Ai mes tjerash ka përmendur edhe shtesat për fëmijët, nënave lehona si dhe subvencionimin e teksteve shkollore.

“Përderisa ata bëjnë politikë me fëmijë dhe familje, ne kemi bërë politika për fëmijët dhe familjen. Fëmijëve po u ndajmë shtesa për herë të parë që prej pasluftës. Nënave lehona gjithashtu. Kemi krijuar masën e punësimit “Qeveria për Familjet”. Kemi krijuar programet “Sporti në shkolla”, “Arti në Shkolla”, “Drejt Malit” përmes së cilave po e pasurojmë përvojën shkollore për nxënësit dhe po kujdesemi për shëndetin e tyre fizik dhe kreativitetin e tyre artistik. I kemi subvencionuar materialet shkollore për nxënës. Për herë të parë kemi bërë rishikimin dhe përmirësimin e teksteve mësimore për lëndët e Gjuhës Shqipe dhe Matematikës për klasat I-IX. Fëmijëve me nevoja të veçanta po u ofrojmë asistentë. Për fëmijët pa kujdes prindëror i kemi rritur pagesat e rregullta mujore. Me ligjin e ri për Shërbime Sociale dhe Familjare, për herë të parë po e mundësojmë strehimin familjar për fëmijët dhe të rinjtë deri në moshën 26-vjeçare. Shumica dërrmuese e këtyre politikave nuk kanë ekzistuar më parë”, ka shkruar i pari i Qeverisë.

Kurti ka falënderuar prindërit për vërejtjet e dhëna, pasi që siç thotë Kurti falë tyre të premten, Ministria e jonë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka nxjerrë vendim për largim nga përdorimi i doracakëve ndihmës për mësimdhënës dhe rishikimin e tyre, me ç’rast në komisionin përkatës do të jenë të ftuar të gjitha palët relevante, përfshirë natyrisht edhe Këshillin e Prindërve të Kosovës.

“Lufta hibride kundër qeverisë dhe shtetit tonë është intensifikuar si asnjëherë më parë. Informacionet sot duhet t’ia nënshtrojmë si verifikimit faktik e logjik ashtu edhe mendimit kritik. Për çfarëdo të dhënash të vërteta e të sakta që ju nevojiten, institucionet e shtetit dhe ministritë e qeverisë janë të hapura për juve. Ju faleminderit për mirëkuptimin që keni treguar përkundër të gjitha turbullirave nga diskutimet e papërmbajtura ditëve të fundit”, ka shkruar Kurti. /Lajmi.net/ 
Postimi i plotë i tij në Facebook: