Kurti e Konjufca brutal ndaj Gjykatës Kushtetuese në prani të militantëve, i duan vetëm dy opsione në aktgjykim

Absurd dhe të dëmshëm e konsideruan sot në Lëvizjen Vetëvendosje vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për ta vënë një masë të përkohshme që ua ndalon deputetëve çdo veprim deri në fund të këtij muaji. Albin Kurti, i cili votua si i propozuari i LVV-së për kryeministër, lëshoi akuza të rënda ndaj gjyqtarëve të gjykatës,…

Lajme

07/09/2025 17:06

Absurd dhe të dëmshëm e konsideruan sot në Lëvizjen Vetëvendosje vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për ta vënë një masë të përkohshme që ua ndalon deputetëve çdo veprim deri në fund të këtij muaji. Albin Kurti, i cili votua si i propozuari i LVV-së për kryeministër, lëshoi akuza të rënda ndaj gjyqtarëve të gjykatës, pasi paraprakisht, GluaK Konjufca tha se ata do të mund ta marrin një vendim që ai e quajti “tradhti shtetërore”.

Gkjykata Kushtetuese vendosi të premten një masë të të përkohshme, duke ua ndaluar deputetëve ndërmarrjen e çdo veprimi apo zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e qeverisë së deri më 30 shtator.

Deri atëherë pritet të publikohet një aktgjykim për mënyrën se si Lëvizja Vetëvendosje përmes kryeparlamentarit të saj, Dimal Basha vendosi ta mbyllte seancën konstituive duke e shpallur funksionalizimin e Kuvendit punë të kryer, edhe pa zgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb. Ndërkohë, Kushtetuesja, që është instanca më e lartë gjyqësore në vend, që qëndron edhe mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv, u sulmua brutalisht në një mbledhje të partisë e cila doli e para në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Albin Kurti, kryetari i LVV-së i cili sot u votua unanimisht si i propozuari i kësaj partie për kryeministër, u duk se nuk po zgjedhte fjalë për ta sulmuar Gjykatën Kushtetuese gjatë fjalës së tij. Ato fjalë, megjithatë, i kishte shkruar paraprakisht në një letër.

Ai e quajti “shumë absurde” dhe “shumë të dëshëm” vendosjen e masës së përkohshme nga Kushtetuesja, e cila tha se “po funksionon si një hije politike e opozitës ndaj Vetëvendosjes”.

Vendosja e kësaj masi, sipas tij, “është ngjashëm sikur Arben Vitia të lëshojë vendim mjekësor që ata shtatë gjyqtarë të shkojnë në pushim mjekësor për shkak të gjendjes së tyre të rënduar”.

Kurti tha se Kushtetuesja po “vonon, zvarrit, pengon dhe qëllimshëm dëmton procese të dobishme për qytetarët”.

“Ne si qeveri kemi marrë më shumë se një vendim në ditë, e ata më shumë se 11 muaj për një vendim. E kur e marrin atë vendim, është vendim zakonisht i mbrapshtë e ne i kemi të gjitha këto vendime të mira”, tha ai.

Paraprakisht, nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, i cili e propozoi formalsht Albin Kurtin si emrin e partisë për kryeministër, paralajmëroi se Kushtetuesja mund ta bëjë një “tradhti shtetërore” ndërsa foli për aktgjykimin që deri në fund të muajit pritet ta marrë kjo gjykatë.

Ai tha se gjykata “nuk ka çfarë të interpretojë përtej Kushtetutës”, ndërsa përmendi fillimisht dy opsione.

“Tash gjykata është para një vendimi të madh. Kushtetuta nuk i jep kurrfarë supremacie në relacion me Kryesinë e Kuvendit partisë fituese të serbëve. Prandaj gjykata nuk ka çfarë të interpretojë përtej Kushtetutës. Ky është akti më i lartë Republikës. Ose do të çelet rruga që Kuvendi të vazhdojë, ose do të shkojmë në zgjedhje të reja”, tha ai.

“Por skenari i tretë të cilin as që mund ta imagjinoj, është ai më i keqi i mundshëm”, tha Konjufca. “Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore, do të thoja unë. Një skenar i cili ia jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të jep peng i Listës Serbe”.

Konjufca shprehu bindjen se një qeveri e re, e udhëhequr sërish nga Kurti, do të bëhet. “Ne e kemi Kuvendin dhe do ta bëjmë Qeverinë”, tha.

Arbërie Nagavci, e cila është kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, tha në fillim të mbledhjes se do ta propozonin Albin Kurtin për kryeministër, “ndonëse jemi në një moment kur Kuvendi pas zgjedhjeve ka zgjedhur tashmë kryetarin dhe katër nënkryetarët, me vendim të Gjykatës Kushtetuese, të 120 deputetëve u është pezulluar puna për shkak të ankesës së Listës Serbe”.