Kurti bëri homazhe me rastin e përvjetorit të 45-të të vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës
Në 45-vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës nga agjentët e UDB-së, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Presidenten Vjosa Osmani Sadriu dhe Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta te varret e Jusuf e Bardhosh Gërvallës në fshatin Dubovik.…
Lajme
Në 45-vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës nga agjentët e UDB-së, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Presidenten Vjosa Osmani Sadriu dhe Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta te varret e Jusuf e Bardhosh Gërvallës në fshatin Dubovik.
Kryeministri Kurti tha se sot bëhen nderime për patriotë të jashtëzakonshëm e veprimtarë të paepur, të cilët u flijuan duke sakrifikuar gjithçka për shtetin dhe lirinë që Kosova e gëzon sot. Ai theksoi se edhe para luftës, shqiptarët nën Jugosllavi e Serbi nuk kishin paqe, gjë që dëshmohet nga demonstratat e shumta dhe nga ish-të burgosurit e të persekutuarit politikë.
Kurti rikujtoi se Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka u vranë më pak se një vit pas demonstratave të vitit 1981, në kohën kur organizimi për Republikën e Kosovës po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha. Sipas tij, goditja ndaj tyre ishte goditje ndaj vetë përpjekjes për çlirimin e popullit shqiptar.
Duke folur për Jusuf Gërvallën, Kryeministri në detyrë tha se përveçse patriot, ai ishte edhe publicist, poet, shkrimtar, gazetar e intelektual, veprimtaria e pasur artistike e të cilit u ndërpre përgjysmë me vrasjen e tij.
Kurti theksoi se progresi dhe siguria që ka sot shteti i Kosovës, si dhe faktorizimi i kombit shqiptar, janë dëshmi se flijimet dhe sakrificat e bëra kanë pasur vlerë të madhe.
“Lavdi Jusufit, Bardhoshit, Kadriut dhe të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!”, përfundoi Kurti./Lajmi.net/