Kurti bëhet nervoz me zhurmën e deputetëve: Ju më keni ftuar, s’është në rregull të qeshni kur flasë
Në politikën e jashtme, sipas kryeministrit Albin Kurti, Qeveria e tij ka bërë më shumë sesa pritej. Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ku po diskutohet për qeverisjen katërvjeçare, ai përmendi “sukseset” në politikën e jashtme, ndërsa tha se partia e tij nuk ka premtuar njohje të reja për shtetin. “Kemi aplikuar dhe kaluar me…
Lajme
Në politikën e jashtme, sipas kryeministrit Albin Kurti, Qeveria e tij ka bërë më shumë sesa pritej.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ku po diskutohet për qeverisjen katërvjeçare, ai përmendi “sukseset” në politikën e jashtme, ndërsa tha se partia e tij nuk ka premtuar njohje të reja për shtetin.
“Kemi aplikuar dhe kaluar me sukses Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, çfarë ju falënderoj edhe juve të nderuar deputetë të Kuvendit për punën dhe angazhimin që keni bërë. Pastaj e kemi avancuar statusin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, kemi aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe jemi anëtarësuar në 10 organizata ndërkombëtare”, tha Kurti.
“Unë e di që jemi kritikuar pse nuk ka njohje të reja, por duhet ta kuptoni edhe një gjë: as liberalizimin e vizave, as njohjet e reja nuk i kemi premtuar në fushatë. Në fushatë kemi thënë punësim dhe drejtësi. Pra, neve duhet të na matni krahasuar me zotimet tona që kemi dhënë në fushatën e vitit 2021 dhe në programin qeveritar më pastaj”, shtoi ai.
Ndërsa po fliste, ai u ndal duke iu kërkuar deputetëve që ta dëgjonin.
“Nuk mund të përmbushim… besoni, jam i interesuar të ju dëgjoj të gjithëve, veç ju kisha lutur që të mund ta dëgjoj edhe veten, që do të thotë të më dëgjoni edhe ju e të mos bëjmë zhurmë ku i flasim sikur të shurdhrit njëri-tjetrit. Ju lutem, do t’ju dëgjoj të gjithëve. Ju kisha lutur që të më dëgjoni sepse më keni thirrur ju në raportim. Nuk është seancë e jashtëzakonshme e thirrur nga kryeministri. Ju më keni ftuar që të më dëgjoni dhe unë do t’ju prezantoj para jush, e nuk mund të jem i shkurtër sepse më keni ftuar për katër vjet qeverisje, nuk më keni ftuar për katër javë, por për katër vjet”, tha ai.
“Pa premtuar anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ai përsëriti se vendi “u anëtarësua në 10 sosh”.
Te pjesa e politikës së jashtme, ai përmendi strehimin e disa gazetarëve ukrainas dhe refugjatëve afganë.
“Për besë, nuk është në rregull të qeshni kur flasim për refugjatë”, tha ai, duke iu drejtuar edhe një herë deputetëve.