Kurti: Bashkëpunimi me opozitën për marrëveshjet ndërkombëtare do të jetë një test i mirë – Tanimë bllokadat janë të pamundshme

Kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti i cili ka dal i pari në zgjedhjet e sotme, ka treguar prioritetet e tij. Ai ka thënë se menjëherë pas certifikimit të rezultateve nga KQZ, duhet të konstituohet Kuvendi, dhe të formohet Qeveria e re. “Unë jam i interesuar që të bashkëpunojmë me opozitën menjëherë, për ato…

Lajme

28/12/2025 22:50

Kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti i cili ka dal i pari në zgjedhjet e sotme, ka treguar prioritetet e tij.

Ai ka thënë se menjëherë pas certifikimit të rezultateve nga KQZ, duhet të konstituohet Kuvendi, dhe të formohet Qeveria e re.

“Unë jam i interesuar që të bashkëpunojmë me opozitën menjëherë, për ato që na kanë ngelur pa u miratuar, pra tri marrëveshje ndërkombëtare lidhur me mbi 120 milionë euro të Bankës Botërore, të cilat mbi 80 milionë janë mbështetje buxhetore, rreth 20 milionë kanë të bëjnë me çerdhe për fëmijë dhe rreth 20 milionë kanë të bëjnë me sistemin informativ shëndetësor. si dhe pa harruar 880 milionë të Planit të Rritjes së BE-së.  Për këto na duhet një shumicë prej 2/3 por besoj që pas certifikimit të rezultateve do të mund të ecim mbarë e mirë por edhe shpejt e pa vonesa, meqenëse bllokadat janë të pamundshme tanimë”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se para se të bashkëpunoj me opozitën për çështjen e Presidentes, ai do të bashkëpunoj me ta për marrëveshje ndërkombëtare.

“Kjo do të jetë një test për bashkëpunimin Qeveri-opozitë në katërvjeçarin e ardhshëm, por po e ritheksoj duhet të presim certifikimin e rezultateve”, ka shtuar Kurti.

Kurti në këto zgjedhje ka marrë plot 49,74% të votave duke dal i pari. /Lajmi.net/