Kurti: Barazia gjinore shtyllë thelbësore e të drejtave të njeriut

Barazia gjinore është shtyllë thelbësore e të drejtave të njeriut dhe rruga për zhvillimin e qëndrueshëm të Republikës së Kosovës. Kështu deklaroi kryeministri i vendit Albin Kurti gjatë prezantimit të Raportit final për Vlerësimin e Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024 nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Kurti, foli…

Lajme

21/10/2024 16:02

Barazia gjinore është shtyllë thelbësore e të drejtave të njeriut dhe rruga për zhvillimin e qëndrueshëm të Republikës së Kosovës.

Kështu deklaroi kryeministri i vendit Albin Kurti gjatë prezantimit të Raportit final për Vlerësimin e Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024 nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Kurti, foli për të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës mbi rënies së përqindjes së papunësisë në vend, nga 25 në 10.7 përqind.

“Raporti i sotëm tregon që përmes punës së përbashkët, kemi përparuar në përmirësimin e kushteve në këto fusha. Së pari në fushën e fuqizimit ekonomik dhe mirëqenies sociale, kemi punuar për krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë e veçanërisht për gratë nga grupet e cenueshme. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës nga tre mujori i parë 2021 deri në tremujorin e vitit e fundit të 2023, pra për dy vite e gjysmë, papunësia e përgjithshme ka rënë nga 25.8 për qind në 10.7 për qind, kjo me punësim të ri dhe me formalizim të punës. Burrat nga 24.2 për qind në 7.9 për qind, ndërkaq gratë nga 29. 7 për qind në 17.2 për qind”, ka thënë Kurti.

Ai shtoi se përmes platformës së Qeverisë të ‘Superpunës’ 51 përqind janë vajza.

“Kemi dhënë mbështetje direkte në punësimin e mbi 12 mijë grave, ndërkaq nga afër 14 mijë të rinj mes moshës 18 e 29 vjeç që janë punësuar përmes platformës Qeveritare ‘Supërpuna’ 51 përqind janë vajza. Kemi mbështetur mbi 2600 të punësuar përmes Programit ‘Qeveria për familjet’, prej tyre 55 për qind gra”, ka shtuar Kurti.

Raporti i vlerësimit është realizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, me mbështetjen e UN women në Kosovë, projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Instrumenti për Barazi Gjinore”, si dhe projekti “Financimi Transformues për Barazinë Gjinore në Ballkanin Perëndimor” financuar nga SIDA.