Kurti: Arrestimi i Gjuriqit, film nga Thaçi e Vuçiqi
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar lidhur me arrestimin e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, të hënën.
Lajme
Në një intervistë për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Kurti tha se arrestimi ishte një skenar i përgatitur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq.
“Gjuriqi është dashur të arrestohet por shumë më herët. Unë besoj që ka pasë të bëj darka Thaçi-Vuçiq që nuk është më sekrete. Në njërën anë ta arrestosh Gjuriqin dhe ta lëshosh pas pesë minutave, ta fillosh shkrimin e statutit të Zajednicës që është shumë problematik dhe në të njëjtën kohë të thuash se duam të vazhdojmë dialogun me Vuçiqin i cili atë mbrëmje na quante terroristë kjo është veçse film”, tha Kurti.
Ai po ashtu e akuzoi presidentin Thaçi për ndikim në Policinë e Kosovës.
“Për bindjen time nuk u bënë më shumë se dy ditë për të treguar që nuk bëhej fjalë për sundim të ligjit dhe për rend kushtetues por bëhet fjalë për lojëra politike. Tubimi që u mbajt dje pa Gjuriqin nuk është më pak problematik se tubimi me Gjuriqin që u majt të hënën me Gjuriqin. Unë besoj që ky dueti Thaçi- Maxhuni janë ata që e kanë kapur shtetin e kapur”, tha Kurti.
Përballë Jeta Xharrës, në këtë emision flasin presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.