Kur një person tenton të bëhet “Ligj” dhe atij i bashkohen edhe vetë deputetët- Çka ndodhi me rastin e fundit të Gecit dhe Mehmetajt ?
Në një shtet demokratik si Kosova, vend s’do të duhej të kishte Kanuni- aq më pak të tentohej të përdorej e të keqpërdorej nga individë të ndryshëm. Por ja që bëhet… madje prej kohësh. Në Kosovë është e vështirë të kritikosh, qoftë dikë si profesionist apo qoftë dikë si deputet, ministër, drejtor ndërmarrjesh shtetërore e…
Lajme
Në një shtet demokratik si Kosova, vend s’do të duhej të kishte Kanuni- aq më pak të tentohej të përdorej e të keqpërdorej nga individë të ndryshëm.
Por ja që bëhet… madje prej kohësh.
Në Kosovë është e vështirë të kritikosh, qoftë dikë si profesionist apo qoftë dikë si deputet, ministër, drejtor ndërmarrjesh shtetërore e që në fakt paguhet nga taksat e qytetarëve dhe është i thirrur për t’u shërbyer atyre.
Një gjë e tillë në Kosovë po ndodhë prej kohësh.
Bëhet fjalë për një personazh i cili në fakt e kontrollon çdo gjë që shkruhet rreth tij dhe familjes së tij.
Me të së fundi janë përballur emra të ndryshëm, kandidat për deputetë, analista studiosh televizive, qytetarë e së fundi edhe gazetarë.
Është pikërisht Gani Geci. Për këdo që s’e njeh Gecin, ai ishte pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish deputet i Kuvendit të Kosovës dhe njeri i Lidhjes Demokratike të Kosovës që nga fillet e saj.
“Emri i tij u përfshi në Komunikatën nr. 59 të vitit 1998, në të cilën ndaj tij u ngritën akuza të rënda politike dhe ushtarake. Geci dhe familjarët e tij i kanë mohuar këto akuza dhe e kanë konsideruar përmbajtjen e komunikatës si pjesë të një përplasje politike të asaj kohe.Pas përfundimit të luftës, Gani Geci u angazhua në sigurimin e presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Bashkë me vëllezërit e tij dhe persona të tjerë të afërt me strukturat e sigurisë së Rugovës, ai mori pjesë në mbrojtjen e presidentit gjatë viteve të para të pasluftës. Kjo periudhë u karakterizua nga tensione të mëdha politike dhe nga një sërë kërcënimesh e sulmesh ndaj figurave politike në Kosovë. Geci ka rrëfyer në vazhdimësi për rrezikun ndaj Rugovës dhe për përpjekjet e tij dhe të familjes së tij për ta mbrojtur presidentin. Besim Dajaku, një prej pjesëtarëve të rrethit të sigurimit të Rugovës, ishte gjithashtu i afërt me këtë strukturë dhe më vonë u vra në një atentat ku mbeti i plagosur edhe Gani Geci. Sipas të dhënave publike gjithnjë, më 19 tetor 2001, në hyrje të fshatit Llaushë, ndodhi një atentat ndaj Gani Gecit dhe personave që ndodheshin me të. Në këtë sulm u vranë Besim Dajaku dhe gazetari Bekim Kastrati, ndërsa Gani Geci u plagos rëndë. Vëllai i tij, Shani Geci, që ndodhej në vendin e ngjarjes, shpëtoi pa u lënduar. Atentati mbeti një prej rasteve më të përfolura të pasluftës në Kosovë. Geci dhe familja e tij e kanë lidhur vazhdimisht këtë sulm me konfliktet dhe akuzat e periudhës së luftës, përfshirë Komunikatën nr. 59, duke kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave dhe autorëve të atentatit”, thuhet në të dhënat publike.
Gani Geci vazhdoi angazhimin e tij në jetën politike të Kosovës, fillimisht në LDK më vonë në LDD. Ai u zgjodhë deputet në vitin 2007 dhe e ushtroi atë mandat deri më 2010.
“Veprimtaria publike e Gani Gecit është shoqëruar edhe me polemika dhe procese gjyqësore. Më 4 gusht 2014, në Skenderaj, ai qëlloi për vdekje Ruzhdi Shaqirin,[3] pas një konflikti mes tyre, ndërsa Geci deklaroi se kishte vepruar në vetëmbrojtje. Pas procedurave gjyqësore dhe rigjykimit, në vitin 2021 ai u dënua me 3 vjet e 6 muaj burgim për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Gani Geci mbetet një figurë e debatueshme e historisë politike të Kosovës, e lidhur me veprimtarinë e UÇK-së, mbrojtjen e Ibrahim Rugovës, atentatet e pasluftës dhe jetën parlamentare e politike të Kosovës.”
Por pasi i njëjti qëndroi larg karrigeve të Kuvendit të Kosovës nga radhët e familjes Geci në Kuvend u bë pjesë vajza e tij, Marigona Geci. E së fundi pjesë e legjislaturës së Kuvendit është nipi i tij, Fatos Geci, por këtë herë jo nga LDK-ja, por në radhët e Listës Guxo.
Gani Geci prej disa kohësh vazhdon të merret personalisht me thuajse secilin status që shkruhet në Facebook, qoftë ajo shaka, satirë, koment apo çkado qoftë. Geci është vendosur në rolin e një zyrtari të lartë të sigurisë që shikon e ndjek nga afër këdo që prish rendin dhe qetësinë.
Këtë rol ai e mori pa ia kërkuar askush e duke tentuar të zëvendësojë këdo që është i vendosur për të mbajtur rend dhe ligj. Gani Geci madje o u shkonte në vende të caktuara, o i thirrte në oda kushdo që si thuhet në gjuhën tonë “ia prishte timin e cigares”.
Rastet e fundit që ua kërkoi të ndryshonin statuset, t’i fshinin ato e të mos përmendnin këdo nga familja Geci ai i ftonte në Oda dhe në njëfarë forme ua kërkonte që t’i kërkonin falje publikisht. Të njëjtit më pas i xhironte, o u bënte fotografi dhe i publikonte në rrjetet sociale. E mbi gjitha këto raste pati heshtje, ose qeshje. Madje kjo formë e tij nisi të quhej në term mjekësorë “Ganicilin”, duke iu referuar “Penicilinës”, duhet ditur se ky është një produkt shëndetësorë që nuk i përshtatet gjithkujt dhe mund të krijojë reaksione të padëshirueshme.
E pikërisht këtë tentoi ta bëjë edhe me një gazetar të Kosovës. Bëhet fjalë për gazetarin Lirim Mehmetaj. Mehmetaj kishte shkruar një status në të cilin ka kritikuar mënyrën se si deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatos Geci, nuk di të lexoj dhe i njëjti me aq përgatitje sa ka po tenton t’i quaj çlirimtarët vrasës duke i shtuar numrin e viktimave në procesin e Hagës.
E ky koment që mund ta shihni këtu më në detaje, e bëri Gani Gecin që t’i drejtohet Lirim Mehmetajt e t’i kërkoj ta fshij atë. Madje siç deklaroi vetë Mehmetaj në zyret ku ai punon shkuan disa persona të cilët fillimisht e kontaktuan e më pas nisën edhe ta kërcënonin për statusin në fjalë. Pas kësaj situate të krijuar ai iu drejtua Policisë së Kosovës ku edhe raportoi rastin. Gani Geci duke mos dashur që këtë t’ia lë organeve të rendit, tentoi që sërish mbrëmë ta luaj policin dhe shkoi jashtë zyrave të RTV Dukagjinit, ku brenda Lirim Mehetaj ishte në një emision direkt. Ai publikonte edhe video në tiktok ku tregoi se po priste jashtë e që sipas tij s’kishte punë me policinë. I njëjti shkoi edhe më larg dhe thërriste në telefon Ermal Pandurin si presion që të fliste, por ky i fundit tha se askush s’ia përmendi emrin dhe nuk iu përgjigj. Pas deklarimit publik të Mehmetaj në detaj, ku tregoi se si u kërcënua nga Gani Geci dhe të tjerët, Policia e Kosovës e arrestoi këtë të fundit dhe e ndaloi për 48 orë.
Por ku qëndron mësimi kësaj here?
Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit nuk duhet të bëjë ndasi, as të lejojë askënd të jetë mbi ligjin, aq më pak që t’ua ndalojë gazetarëve të shkruajnë e kritikojnë deputetët, ministrat apo këdo që paguhet nga taksat tona.Policia dhe Prokuroria s’do të duhej të lejonin të nëpërkëmbej puna e tyre, e dikush tjetër të tentonte të luante rolin e Kryeshtetasit që vendos ligjin, vendos rregullat e vendos se kush çka të bëj.
Gani Geci dhe të tjerët nuk janë mbi ligjet e Kosovës, as nuk janë ligjvënës të njëjtit duhet të jenë ligjzbatues si të gjithë qytetarët. Nëse Gani Geci dhe të tjerët kanë diçka kundër kujto do të duhej që t’u referoheshin organeve të rendit, e të njëjtit të zbatonin secilin ligj që ekziston në bazë të rendit të Kosovës. Kosova është demokraci dhe lirinë e shprehjes s’duhet ta cenojë, rëndojë apo ta ndalojë asnjë individ.
Në Kosovë duhet pasur rend, Ligj, stacione ku mund t’i raportosh të bëmat e jo odat të përdoren për presion e zgjidhje hesapesh.
Dhe shtrohet pyetja kush janë deputetët e Kuvendit të Kosovës si Anton Quni dhe Fadil Hadërgjonaj që të ndërhyjnë në këto çështje e të tentojnë të risjellin Kanunin kur në Kosovë ka institucione, ka Ligj dhe se assesi s’do të duhej që të përcjellin një mesazh të tillë?.
Mbi çfarë të drejtë të njëjtit tentuan që t’ia shtojnë edhe më tepër presionin personit në fjalë që të tërheq atë që deklaroi ndaj një deputeti? Pse ata shkuan në një takim të tillë me kërkesa idiote që të mos komentohej e kritikohej një deputet, kushdo qoftë ai?.
Derisa shumë çështje janë ende të pazgjidhura nga ky rast, Policia e Kosovës veçse ka konfirmuar se Geci është ndaluar për 48 orë.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, më 13 tetor 2023 është arrestuar një i dyshuar kosovar, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “kanosje” ndaj një viktime mashkull, gazetar.
“Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë”, thuhet në raportin e Policisë./Lajmi.net/
