Kupchan: Frustrimi i grumbulluar i SHBA-së me Kurtin çoi në pezullimin e Dialogut
Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington, thotë se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, është një rezultat i drejtpërdrejtë i frustrimit të grumbulluar ndaj veprimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. “Kjo është një çështje serioze, sepse rajoni ka nevojë për më shumë angazhim nga…

Lajme
Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington, thotë se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, është një rezultat i drejtpërdrejtë i frustrimit të grumbulluar ndaj veprimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Kjo është një çështje serioze, sepse rajoni ka nevojë për më shumë angazhim nga SHBA-ja, jo për më pak”, thotë Kupchan për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se ky veprim synon të ushtrojë presion mbi udhëheqësit e Kosovës – veçanërisht mbi Kurtin – që të veprojnë në mënyrë konstruktive, të formojnë një qeveri dhe të riangazhohen në dialogun me Serbinë.
Kupchan thekson gjithashtu rëndësinë e kompromisit dhe të negociatave me mirëbesim midis të gjitha partive politike në Kosovë, për të rivendosur stabilitetin dhe për të ecur përpara.
“… kjo tregon se Uashingtoni po i ndjek ngjarjet dhe do të bëjë atë që gjykon se është e nevojshme, për të parandaluar paqëndrueshmërinë përpara se të ndodhë”, thotë Kupchan.
“Mendoj se kjo është një çështje serioze, sepse rajoni ka nevojë për më shumë angazhim nga SHBA-ja, jo për më pak. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, për një kohë të gjatë, nuk ka avancuar. Me ndryshimin e administratës në Uashington, kishte shpresë se presidenti [Donald] Trump – ashtu si gjatë mandatit të tij të parë – do të mund të riangazhohej në Dialogun Strategjik me Kosovën, në përpjekje për të ndërmjetësuar normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe, tani, kemi një njoftim nga Ambasada [amerikane] në Prishtinë, që në thelb thotë: po tërhiqemi, po e pezullojmë Dialogun Strategjik. Në shumë aspekte, kjo është një shenjë pakënaqësie ndaj Qeverisë në Kosovë, e cila praktikisht ka qenë në detyrë që nga zgjedhjet në fillim të këtij viti. Por, po ashtu, është rezultat i një frustrimi të grumbulluar: janë dashur disa muaj për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit të Kosovës, tani Kurti fyen Gjykatën Kushtetuese. Para zgjedhjeve, Kurti ka marrë vendime për një gamë të gjerë çështjesh – nisur nga ndalimi i dinarit serb deri tek instalimi i kryetarëve shqiptarë në veri apo mosçuarja përpara e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ka një perceptim të gjerë këtu në Uashington dhe në Evropë se Qeveria në Kosovë nuk po ndihmon në përmirësimin e situatës. Ndaj, mendoj se pezullimi i Dialogut Strategjik është një shenjë pakënaqësie dhe frustrimi”, tha Kupchman për Radio Evropa e Lirë.