Kullat e Jasharëve, para shkatërrimit

Agjencia për Mbrojtjen e Memorialëve të luftës së fundit në Kosovë,  e themeluar në gusht të vitit të kaluar, nuk po mund ta realizoj misionin e vet në një pikë – gjetja e një kompanie serioze në për konservimin e pesë kullave dhe bunkerit të “Adem Jasharit”.

Lajme

23/05/2014 10:19

Drejtor i këtij institucioni, Idriz Blakaj, thotë se kanë pasur vështirësi në fillimin e punës, por tani janë duke e konsoliduar stafin i cili do të ketë nëntë zyrtar.

Në fund të vitit të kaluar, kësaj Agjencie i ishin transferuar 700 mijë euro nga Ministria e Mjedisit, për investime kapitale në memorialin Adem Jashari në Prekaz.

“Problemi kryesor që kemi momentalisht me kompleksin Jasharaj në Prekaz, është konservimi i kullave dhe bunkerit. Jemi në një pozitë ku kullat janë para shkatërrimit. Ka pasur probleme me tenderim, i cili deri tani ka dështuar katër herë, tri herë në Ministrinë e Mjedisit dhe një herë në Agjenci”, ka thënë Blakaj për Gazetën Tribuna.

Ai ka thënë se Agjencia është e detyruar të shpallë tender ndërkomëbatr, pasi në Kosovë, sipas tij, nuk ka kompani që kanë përvojë në konservim.

Por edhe kjo shpallje e tenderit do të përseritet, pasi sipas Blakajt, pasi vetëm një kompani kosovaro-italiane i ka plotësuar kriteret, ndërkaq sipas ligjit duhet të jenë tri të tilla, që tenderi të jetë i vlefshëm.   

Blakaj tregon se është duke u proceduar edhe tenderi për vendosjen e pikave, për përkufizimin e memorialit i cili përfshin rreth 459 hektar.

“Do të bëhet piketimi, kufizimi i kompleksit, do të ndahen parcelat dhe do të krijohen hartat. Tenderi ka dështuar tri herë për shkak se ka qenë vetëm një kompani e përgjegjshme. Tash është përsëri në procedurë të tenderimit”, shton ai.

Blakaj thekson se tender do të shpallet edhe për një plan të menaxhimit për mirëmbajtjen e memorialëve.

“Do të krijojmë së pari një plan të menaxhimit dhe pastaj do të shohim nëse atë do ta implementojë vetë Agjencia apo do të angazhojmë ndonjë kompani. Janë dy variante dhe do të shohim se cila është më e leverdishme”, ka thënë ndër të tjera Blakaj, për gazetën Tribuna.