Kujtohet masakra e Pastasellës, kërkohet angazhim më i madh për të pagjeturit
Në fshatin Pastasellë të Komunës së Rahovecit është shënuar të hënën 26-vjetori i masakrës ku u vranë dhe masakruan 106 civilë shqiptarë nga forcat serbe gjatë luftës së Kosovës. Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se kjo masakër është një nga më të tmerrshme në Kosovë, ku u shfaq brutaliteti dhe metodat ç’njerëzore…

Lajme
Në fshatin Pastasellë të Komunës së Rahovecit është shënuar të hënën 26-vjetori i masakrës ku u vranë dhe masakruan 106 civilë shqiptarë nga forcat serbe gjatë luftës së Kosovës.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se kjo masakër është një nga më të tmerrshme në Kosovë, ku u shfaq brutaliteti dhe metodat ç’njerëzore të forcave serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ajo shtoi se e vërteta e kësaj tragjedie nuk mund të mohohet e as harrohet, andaj shtoi se do të sigurohen që krimet e kryera të mos mbesin të pandëshkuara dhe kriminelët e luftës të përballën me drejtësinë.
“Ajo që e bën këtë masakër një nga më të tmerrshmet në Kosovë është brutaliteti dhe metodat ç’njerëzore të përdorura nga forcat serbe. Ata torturuan shqiptarët, ndan në grupe, vranë fëmijët para prindërve dhe gjyshërve të tyre dhe më pas i ekzekutuan të rriturit. Ishte strategji e qartë për të shkaktuar terror dhe shfarosje, për t’i torturuar në mënyrë ç’njerëzore civilët ashtu që plagët e luftës të mos fshiheshin asnjëherë. Masakrat e kryera në Kosovë janë dëshmi e një strategjie gjenocidiale të planifikuar nga shteti serb… Jemi këtu, jo vetëm për të përkujtuar, por për të dëshmuar dhe për të kërkuar drejtësi për viktimat e pafajshme që u vranë, u masakruan, zhdukën me dhunë dhe u dëbuan nga trojet e tyre vetëm se ishin shqiptar. E vërteta e kësaj tragjedie nuk mund të mohohet as harrohet. Jemi këtu për të mbajtur gjallë në kujtesën tonë kolektive… E kemi për detyrë që të sigurohemi që krimet e kryera të mos mbeten të pandëshkuara dhe kriminelet e luftës të përballen me drejtësinë”, tha Haxhiu, transmeton KosovaPress.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se kjo masakër nga forcat serbe ishte e dhimbshme për të gjallët në Kosovë, por edhe mesazh për ndërkombëtarët se masakra në Pastasellë ka përmasa gjenocidale.
“Lufta për liri kërkon sakrifica të mëdha, sepse liria si nevojë më jetike që kishin shqiptarët u mohohej dhe jeta nën zgjedhjen e robërisë ishte bërë e padurueshme. Edhe banorët e fshatit Pastasellë e përkrahën fuqishëm me krejt çfarë patën luftën e UÇK-së. Ata i dhanë ushtarë kësaj lufte, po ashtu edhe luftëtarin e orëve të para, Milaim Krasniqin. Po ashtu Pastaseli ja dha lirisë së Kosovës edhe dëshmorin Fadil Krasniqi…Kjo ishte një masakër e dhimbshme për të gjallët dhe mesazh për ndërkombëtarët, se krimi në Pastasellë ka vërtetë përmasa të gjenocidit…Plagët e Kosovës edhe pas 26 vjetësh ende kullojnë gjak”, tha Latifi.
I mbijetuari i kësaj masakre, Tahir Krasniqi, rrëfeu para të pranishmëve momentet sesi forcat serbe i kanë pushkatuar 106 civil të pafajshëm në këtë fshat.
“Na kanë tubuar, diku nja 200 metra prej shkollës dhe na kanë thënë me largu gjithçka që kemi në xhepa. Po ashtu me mbajt kokën poshtë, në mënyrë që mos të njohim askënd. Pastaj kanë filluar me na rrah, sharë dhe keqtrajtua. Grave dhe fëmijëve u thonin shkoni në drejtim të Shqipërisë. Ne kemi qenë diku 120 burra dhe na kanë nda kah 30 dhe na kanë çua në pushkatim. Aty na kanë pushkatua, ku jemi kanë katër grupe. Prej tyre kemi shpëtuar 13 persona, ndërkaq 106 janë vra”, theksoi ai.
Ndërkaq, përfaqësuesi i fshatit, Afrim Krasniqi i ka bërë thirrje institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare të punojnë më shumë për gjetjen e personave të pagjetur dhe dënim për keqbërësit, pasi siç tha ai, po pakësohen edhe dëshmitarët.
“Sot ne jemi tubuar këtu të kujtojmë 106 familjarë tanë te cilët u pushkatuan, torturuan masakruan dhe në fund u karbonizuan disa prej tyre…Kemi edhe katër të pagjetur që na mungojnë. Ne si familjarë kërkojmë drejtësi nga institucionet tona dhe ndërkombëtare që të punojnë më shumë për dënimin e keqbërësve”, tha ai.
Për këtë masakër gjenocidale, deri më tani nuk është dënuar asnjë kriminel serb.