Kufijtë etnikë nuk luajnë
Presidentja Jahjaga hedh poshtë spekulimet për \"Shqipërinë e Madhe\". Po ashtu, thotë se Rezoluta 1244 që përcaktonte statusin politik të Kosovës si protektorat të OKB’së, është \"e vdekur\" që nga 2008.
Lajme
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka mohuar mundësinë e ndryshimit të kufijve në baza etnike dhe ka hedhur poshtë të gjitha spekulimet lidhur me krijimin e “Shqipërisë së Madhe.”
“Ndryshimi i kufijve në baza etnike dhe fetare ka sjell vuajtje në të gjithë rajonin. Prandaj, idetë e ndryshimit të kufijve janë të papranueshme.”
Këto komente, Presidentja Jahjaga i ka bërë në një intervistë për Radio Televizionin e Vojvodinës.
Gjithashtu ka thënë se Rezoluta 1244 në Kosovë është “e vdekur” që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë.
“Republika e Kosovës është një realitet që njihet nga më shumë se 100 vende të botës. Ne duam të kemi marrëdhënie të mira me Serbinë dhe unë jam e sigurt se marrëveshjet do të çojnë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve.”
Presidentja ka shtuar se Kosova do të jetë një anëtare e BE’së, NATO’s dhe OKB’së, ndërsa ka shprehur bindjen e saj se vendi do të marrë pjesë në një numër të shoqatave sportive botërore, pas së cilës do të “konkurrojë me Serbinë në disiplina të ndryshme”.
Jahjaga, po ashtu, u ka bërë thirrje serbëve që të dalin në numër sa më të madh në zgjedhjet e 3 nëntorit. Sipas saj, Ligji për Amnistinë është miratuar ndër të tjerash që sa më shumë qytetarë të angazhohen në procesin zgjedhor.
“Fjala është për kthim të besimit dhe një lloj të pajtimit politik.”
Në të njëjtën kohë, ka ftuar të gjithë qytetarët të cilët kishin ikur nga Kosova që të kthehen, pasi që çështja e pronës dhe e kthimit është e drejtë e patjetërsueshme e çdo individi.
“Brezi i ri është ‘urë e bashkëpunimit’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se të rinjtë nuk duhet të bëhen peng të së kaluarës sonë të dhimbshme.”