“Kthimi i Karl May” e vë në konflikt të interesit udhëheqësin artistik të Tetarit Kombëtar
"Kthimi i Karl May" është njëra prej shfaqjeve shumë të pëlqyeshme për publikun kosovar e vënë në repertorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës për këtë vit.
Lajme
Shfaqja e cila i bënë një skanim Evropës së tanishme është shkruar nga Jeton Neziraj dhe është realizuar nën regjinë e Blerta Neziraj.
Ajo mund të hiqet nga repertori fare lehtë nëse aktori Ardian Morina nuk e qartëson pozitën e tij, shkruan lajmi.net.
Morina, i cili është edhe Udhëheqës Artistik i Tetarit Kombëtar të Kosovës –TKK, ndodhet në konflikt të interesit, pasi luan në këtë shfaqje.
Konfliktin e interesit e ka konfirmuar, Agjencia Kundër Korrupsionit –AKK.
Fillimisht AKK ka pranuar kërkesë për shqyrtimin e gjendjes së konfliktit të interesit për UD, Udhëheqës Artistik i TKK-së, Ardian Morina.
AKK-ja pasi ka shqyrtuar shkresën ka konstatuar se, Morina ndodhet në konflikt të interesit, ose konkretisht angazhimi i tij si aktor dhe si Udhëheqës Artistik bije ndesh me nenin 20 të Ligjit për Teatro
“Pavarësisht se i lartpërmenduri është caktuar U.D Udhëheqës Artistik, pozitat ligjore e përcaktuar nga Teatri kombëtar i Kosovës e ka kufizuar angazhimin në shfaqjet e Teatrit të Kosovës. AKK kërkon nga Këshilli Drejtues i TKK-së që të ndërmarrë veprimet e nevojshme me qëllim që të shmanget konflikti i interesit, sipas Ligjit nr. 04 /L-104 për Teatrot. Duke qenë se angazhimi i aktorëve rezident në TKK ka impakt në kategorizimin e aktorëve sipas Rregullores nr 04 /2019 për themelimin dhe funksionimin e ansamblit rezident të aktorëve të TKK dhe teatrove të qytetit, duhet të keni parasysh se rolet e angazhuara në situata të konfliktit të interesit nuk mund të shfrytëzohen për kategorizimin e aktorit rezident në TKK”, thuhet në vendimin e Kundër Korrupsionit që e ka parë lajmi.net.
Lajmi.net ka kërkuar një përgjigje nga Teatri Kombëtar dhe nga Morina se cilat janë hapat që do të ndërmerren për të parandaluar konfliktin e interesit, se a do të qëndrojë Morina Udhëheqës Artistik, apo aktor, por Morina as TKK-ja nuk kanë kthyer përgjigje.
Këshilli Drejtues i TKK-së nga fillimi duket se e ka neglizhuar këtë punë, sepse ky organ bën interpretimin e legjislacionit mbi teatrin, të cilit i është referuar kundër korrupsioni kur ka gjetur situatë të konfliktit të interesit. Rëndomë, AKK-ja bën interpretimin e rasteve për zyrtarët e lartë publik mbi legjislacionin të cilën punon ky institucion, kryesisht duke iu referuar Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.
Shfaqja “Kthimi i Karl May” ishte planifikuar që të jepej më datë 1 dhe 2 Mars 2021, por ishte thënë se është anuluar për shkak të situatës me COVID-19, duke mos u cekur nëse është prekur me koronavirus ndonjë aktor, pasi emetimi i shfaqjeve në TKK nuk është ndaluar as një ditë tjetër. Lajmi.net ka parë se kjo shfaqe nuk është në kalendarin e shfaqjeve për këtë muaj, sikurse ka qenë në muajt e kaluar. Shfaqja “Kthimi i Karl Majit” e konfronton publikun me qasjen gati demonizuese të Evropës Perëndimore ndaj Lindjes – superioritetin e supozuar kulturor, politik e intelektual të saj ndaj Lindjes.

Shfaqja i bën një skanim Evropës së tanishme, vlerave të saj të supozuara kulturore e civilizuese, demokracisë së proklamuar si “të shenjtë” dhe e cila në babelin e letrave burokratike të EU-së vjen në variantin e garës muzikore Eurovizion – pra si një Evropë e dashurisë, e harmonisë, e shkëlqimit e diversitetit, por që në thelb, e në realitet, është edhe një Evropë arrogante, eurocentriste, madje raciste, me ndjenja anti-muslimane e anti-lindje! Është një Evropë e shkëlqimit nga jashtë, por që nga brenda gëlon nga paragjykimet. /Lajmi.net/