Kthehen pesë kosovarë nga Jemeni, dy të tjerët kthehen nesër
Pesë shtetas kosovar, që ishin me banim të përkohshëm në Jemen janë kthyer të shtunën vonë në Kosovë, pas një intervenimi që ka bërë Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet turke dhe palestineze.
Lajme
Evakuimi ka qenë i nevojshëm pasi kjo zonë u bë zonë e rrezikshme dhe ishin paralajmëruar intervenime ushtarake të aleancës së 10 shteteve.
Pritet që gjatë ditës së diel të mbërrijnë edhe dy persona tjerë, shtetas të Republikës së Kosovës, të cilët janë jashtë rrezikut por që kanë mbetur në Stamboll për shkaqe teknike.
I ardhuri nga Jemeni në Kosovë, shtetasi Adem Shala, që u kthye bashkë me bashkëshorten dhe tre fëmijët, ka thënë për KosovaPress se është mirënjohës për ndihmat që ua ka ofruar Qeveria e Kosovës dhe ministritë përkatëse, duke mos përjashtuar edhe të tjerët që kanë kontribuar në këtë proces.
“Faleminderit shumë prej qeverisë, elhamdulilah prej zotit që kemi pshtu edhe qeveria që u bo sebep, na ka ndihmu në këtë proces se kemi qenë ngushte, kemi qenë në zor, kemi qenë në hall kështu që ju falënderoj të gjithëve”, tha ai.
Shala ka shtuar se i gjithë procesi ka shkuar mirë dhe se dy persona të tjerë do të mbërrijnë nesër në Kosovë.
“Sa i përket procesit të evakuimit ka shku mirë elhamdulilah ka shku mirë deri në këtë moment edhe dy tjerë një çift ka mbete në Stamboll, ata pritet të vijnë nesër”, tha ai.
Ndërsa, për sa i përket shtetasve Kosovarë që janë ende në Jemen Shala ka thënë se janë edhe dy persona, por të cilët janë jashtë kryeqytetit të Jemenit.
“Në të vërtetë janë dy, por ata janë jashtë kryeqytetin, ata Ishalla do të ju lajmërojnë ose kompania e tyre do të përkujdeset për ta”, tha ai.
E Kreshnik Gashi nga Ministria e Punëve të Brendshme tha se me të marrë lajmin se shtetasit kosovarë me vendbanim të përkohshëm në Jemen janë në rrezik, kanë filluar procesin e evakuimit në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Riad.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Riad posa ka marrë lajmin se në Jemen pas përshkallëzimit të situatës dhe konfliktit atje ekzistojnë disa qytetarë të Republikës së Kosovës të cilët janë në rrezik, ka kontaktuar me ata dhe ka filluar procedurat për evakuim të tyre drejt Kosovës”, tha Gashi.
Ai shtoi se nga ky proces janë evakuuar shtatë shtetas Kosovarë, të gjithë prej tyre jashtë rrezikut, të cilët janë rrugës duke ardhur për në Kosovë.
“Si rezultat i kësaj pune të misionit tonë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme 7 qytetarë të RKS janë evakuuar nga jemeni dhe ata janë rrugës duke ardhur për në Republikën e Kosovës”, tha ai.
Po ashtu Gashi ka thënë se ky proces ka qenë mjaft i ndërlikuar për arsye se konflikti ka qenë mjaftë i lartë, dhe se disa tentative të mëhershme kishin dështuar.
“Ky proces ka qenë mjaft i ndërlikuar për shkak se situata në Jemen ka qenë mjaftë serioze dhe konflikti ka qenë i nivelit mjaftë të lartë dhe si rezultat ky operacion ka zgjatë disa ditë”, tha ai.
Gjatë ditës së nesërme pritet kthimi edhe i dy personave të tjerë, të cilët aktualisht po qëndrojnë në Stamboll dhe janë jashtë rrezikut.
Shkaku që dy shtetas Kosovarë kanë mbetur në Turqi thuhet se është një arsye teknike.