KS i OKB diskuton për Kosovën më 19 nëntor

Në raportin e ri, Ban Ki- Moon thekson rëndësinë e suksesit të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, sidomos në pjesën veriore të Kosovës. Në të thuhet se suksesi në këto zgjedhje do të ketë ndikim të madh në konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

Lajme

31/10/2013 23:50

Këshilli i Sigurimit i OKB’së do të mblidhet më 19 nëntor për ta shqyrtuar raportin tremujor për Kosovën të Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj organizate.

Raporti i cili tashmë është finalizuar thekson rëndësinë e suksesit të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, sidomos në pjesën veriore të Kosovës. Në të thuhet se suksesi në këto zgjedhje do të ketë ndikim të madh në konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

Situata e sigurisë në Kosovë në thelb është e qetë, me incidente të përkohshme ndëretnike, me të dyja palët që tregojnë angazhim në parandalimin e tensioneve në teren, në mënyrë që të bëjnë të mundur që dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe implementimi i marrëveshjeve të arritura, të ecë tutje, thuhet në Raportin e Ban Ki-Moon.

Ai ka porositur që të vazhdohet me implementimin e marrëveshjes së Brukselit, ndërsa shprehet se edhe pse lidershipi i Beogradit mbështet daljen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, edhe më tej ekziston një fushatë e ashpër në veri të Kosovës kundër daljes në zgjedhje.

Ban ka falënderuar Beogradin dhe Prishtinën për angazhim të vazhdueshëm në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, duke thënë se liderët e të dyja palëve, në shumë çështje sfiduese, kanë treguar “vizion dhe përgjegjësi”.

“Përparimi në teren drejt paqes dhe stabilitetit do të jetë i një rëndësie të veçantë për aspiratat e Serbisë dhe Kosovës drejt integrimit evropian. Të dyja palët kanë marrë hapa impresivë që t’i afrohen këtij qëllimi dhe progresi i mëtejmë në normalizimin e marrëdhënieve, nën kriteret e vendosura nga BE, do të ketë rëndësi të madhe”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i OKB’së në raportin që i ka dërguar Këshillit të Sigurimit.

Ban Ki-Moon ka thënë në raport se Zyra e UNMIK’ut në Mitrovicë funksionon ende dhe se ajo “mbështet përparimin politik dhe institucional të rajonit, duke u përpjekur të lehtësojë kontaktet ndërmjet kompanive të rëndësishme nga të dyja anët e lumit Ibër”.