Kryeziu: Presidenti “mbi partitë” po përdoret si justifikim për një President nën pushtetin

Ismet Kryeziu nga KDI, ka shkruar në lidhje me zgjedhjen e Presidentit në Kosovë. Ai ka thënë se një president “mbi partitë” tingëllon bukur, por sipas tij partia në pushtet po kërkon konsensus politik për një President nën pushtetin. “Gati për dy vite partia në pushtet po na thotë se kriteri kryesor për Presidentin nuk…

Lajme

15/07/2026 11:15

Ismet Kryeziu nga KDI, ka shkruar në lidhje me zgjedhjen e Presidentit në Kosovë.

Ai ka thënë se një president “mbi partitë” tingëllon bukur, por sipas tij partia në pushtet po kërkon konsensus politik për një President nën pushtetin.

“Gati për dy vite partia në pushtet po na thotë se kriteri kryesor për Presidentin nuk është respektimi i Kushtetutës, por mungesa e një të kaluare politike e partiake. Sikur vetë fakti që dikush që vjen nga politika dhe nga një parti nënkupton domosdoshmërisht se nuk do ta respektojë Kushtetutën, ndërsa një personalitet nga jashtë politikës bëhet automatikisht gardian kushtetues. Kjo teori na çon te një përfundim tjetër: se në jetën tonë politike partia është më e fuqishme se çdo institucion dhe çdo pushtet kushtetues. Pra, nëse zgjedhim dikë me të kaluar politike e partiake, automatikisht paskemi hequr dorë nga respektimi i Kushtetutës”, ka shkruar Kryeziu.

Ai ka thënë se nëse kjo është e vërtetë, kriteret kushtetuese për Presidentin nuk kanë më arsye të diskutohen sepse sipas tij problemi nuk është te kandidati, por te sistemi politik që është ndërtuar.

“Na flitet për figura me prapavijë shkencore, akademike, publike e gjithfarë profilesh. Shumë mirë. Por ku ishte zëri i këtyre profileve gjatë zhvillimeve më të rëndësishme politike e kushtetuese në Kosovë? Kur folën? Kur vepruan? Për çfarë mbajtën qëndrim? Prej kur heshtja publike dhe inferioriteti nga jeta politike u bënë dëshmi e pavarësisë, ndërsa angazhimi publik e politik mangësi për të qenë President?”, ka shkruar Kryeziu.

Ai ka thënë se partia në pushtet ia ka frikën një Presidenti që ka mendim politik dhe që jo gjithmonë pajtohet me veprimet e pushtetit, që ka zë publik dhe që kur duhet mund të thotë jo, prandaj sipas tij kërkohet një President pa të kaluar partiake, pa peshë politike, pa zë institucional, që pret delegacione, ndan dekorata dhe hesht për politikën.

“Kërkesa ndaj opozitës që të pranojë medoemos një kandidat „jopartiak“ nuk është kërkesë për kompromis dhe konsensus politik. Është kërkesë që opozita të bëjë kompromis me koncentrimin e pushtetit politik në duart e një njeriu — Kryeministrit të Kosovës. Prandaj pyetja është e thjeshtë: çfarë arsyeje politike, institucionale apo kushtetuese ka opozita ta japë këtë konsensus? Një President „mbi partitë“ tingëllon bukur. Por një President nën pushtetin është diçka krejt tjetër”, ka shkruar Kryeziu. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: