Kryeziu: Nëse Presidenti i lihet opozitës, Qeveria nuk humb mandatin e saj për të qeverisur

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka bërë me dije se nëse vendi shkon sërish në zgjedhje të reja, përgjegjësia kryesore bie mbi VV-në. Ai ka vlerësuar se sa më e madhe fuqia politike aq më e madhe është përgjegjësia. Në profilin e tij në Facebook, Kryeziu ka shkruar se nëse pozita e Presidentit i lihet…

Lajme

29/09/2026 17:00

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka bërë me dije se nëse vendi shkon sërish në zgjedhje të reja, përgjegjësia kryesore bie mbi VV-në.

Ai ka vlerësuar se sa më e madhe fuqia politike aq më e madhe është përgjegjësia.

Në profilin e tij në Facebook, Kryeziu ka shkruar se nëse pozita e Presidentit i lihet opozitës, Qeveria nuk humb mandatin e saj për të qeverisur.

“Edhe 7 ditë mundësi për marrëveshje politike, para se vendi të shkojë për herë të katërt në zgjedhje. Për rreth dy vjet, vendi përballet vazhdimisht me kriza institucionale, me zgjedhje të përsëritura dhe me institucione që vazhdojnë të funksionojnë me mandate në detyrë. Në këto rrethana, përgjegjësia politike nuk mund të shpërndahet në mënyrë të barabartë. Ajo bie para së gjithash mbi subjektin që ka mandatin më të madh politik dhe që udhëheq qeverisjen e vendit. Sa më e madhe fuqia politike, aq më e madhe është edhe përgjegjësia për të gjetur zgjidhje. Nëse pozita e Presidentit i lihet opozitës dhe zgjidhet një personalitet që respekton Kushtetutën dhe mund të garantojë funksionimin institucional, Qeveria nuk humb mandatin e saj për të qeverisur. Presidenti nuk është një “kryeministër i dytë”, ndërsa kompetencat e tij kushtetuese nuk e bëjnë automatikisht pengesë për ushtrimin e mandatit të Qeverisë”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.

“Prandaj, pyetja që duhet t’i bëhet VV-së është e thjeshtë: a është kontrolli i pozitës së Presidentit më i rëndësishëm sesa funksionimi i institucioneve dhe shmangia e zgjedhjeve të katërta brenda dy vitesh? Nëse një kompromis për zgjedhjen e Presidentit e zhbllokon shtetin, i bën institucionet funksionale dhe i shmang edhe një palë tjetër zgjedhjesh, pasojat ekonomike e politike, atëherë cila është arsyeja për të mos u bërë ky kompromis? Një fitore e madhe elektorale nuk është autorizim për ta mbajtur shtetin peng të vullnetit të një lideri apo të një subjekti politik. Mandati për të qeverisur nënkupton edhe përgjegjësinë për të ndërtuar institucione funksionale, për të bërë kompromis dhe për të gjetur zgjidhje politike kur sistemi bllokohet”, ka shkruar ai.