Kryeziu kundër përsëritjes së votimit për nënkryetarët e Kuvendit: “Anulimi i zgjedhjes së Emilija Rexhepit është padrejtësi”

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar ndaj propozimeve për përsëritjen e votimit të nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës, duke e quajtur të padrejtë idenë që edhe zgjedhja e Emilija Rexhepit të anulohet. Reagimi i tij vjen pas qëndrimeve të shprehura nga OJQ-ja IKD dhe përfaqësues të partive politike si LDK dhe, në një…

Lajme

04/09/2025 18:20

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar ndaj propozimeve për përsëritjen e votimit të nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës, duke e quajtur të padrejtë idenë që edhe zgjedhja e Emilija Rexhepit të anulohet.

Reagimi i tij vjen pas qëndrimeve të shprehura nga OJQ-ja IKD dhe përfaqësues të partive politike si LDK dhe, në një masë më të heshtur, edhe PDK, transmeton lajmi.net.

“Është padrejtësi nëse anulohet zgjedhja e Emilija Rexhepit,” ka deklaruar Kryeziu, duke theksuar se komunitetet jo-serbe kanë status të veçantë dhe të ndarë nga komuniteti serb në Kushtetutë.

“Nuk e kuptoj këtë nguti dhe zhurmë që komunitetet tjera të futen në një thes me komunitetin serb. Ato kanë identitete të veçanta, por edhe qëndrime, synime dhe objektiva të ndryshme,” shtoi ai.

Sipas Kryeziut, vetë propozimi për nënkryetare të Kuvendit nga ana e ministrit Elbert Krasniqi, në emër të tetë deputetëve të komuniteteve jo-serbe, kishte kërkuar që procesi i votimit të jetë i ndarë nga ai për përfaqësuesin serb.

“Komuniteti serb dhe komunitetet tjera jo-shumicë nuk janë një kategori e përbashkët në Kushtetutë. Secili ka vendin dhe përfaqësimin e vet të garantuar,” tha ai.

Duke e cilësuar zgjedhjen e Emilija Rexhepit si të ligjshme dhe legjitime, Kryeziu shton se çdo përpjekje për ta delegjitimuar atë përmes përsëritjes së votimit, është një akt që cenon dinjitetin e përfaqësuesve të komuniteteve joserbe.

“Me çfarë të drejte ne do i themi asaj: na vjen keq, por ai votim nuk vlen sepse ti nuk mund të zgjidhesh pa u çiftëzuar në votim me kandidatin serb? Thjesht është padrejtësi dhe nënçmim i madh,” përfundon ai.

Postimi i plotë:

ËSHTË PADREJTËSI NËSE ANULOHET ZGJEDHJA E EMILIJA REXHEPIT
OJQ “IKD” paska deklaruar që votimi për dy nënkryetarët e Kuvendit që u takojnë pakicave duhet të pësëritet, pra të anulohet edhe zgjedhja e zonjës Emilija Rexhepi si nënkryetare Kuvendi. Këtë qëndrim e ka edhe LDK, së paku kjo është përshtypja nga zhurma që bëjnë zyrtarët e kësaj partie, por si duket edhe PDK, edhe pse rreth kësaj çështjeje bën më pak zhurmë.
E kam një problem shumë të madh me këtë qëndrim dhe kjo gjë është tejet esenciale.
Me 26 gusht 2025, Elbert Krasniqi, në emër të 8 deputetëve që vinë nga pakicat joserbe, kur e ka bërë propozimin e këtij grupi për nënkryetar Kuvendi ka kërkuar decidivisht ndarjen e votimit nga kandidati serb për nënkryetar.
Kur flasim për komunitetet jo shumicë, në kushtetutë ato nuk janë një kategori e përbashkuar, por janë dy. Komuniteti serb që i ka 10 vende të garantuara në Kuvend dhe një nënkryetar në Kryesi dhe komunitetet tjera që i kanë po ashtu 10 vende të garantuara në Kuvend dhe një nënkryetar në Kryesi.
Sinqerisht nuk e kuptoj këtë nguti dhe zhurmë që komunitetet tjera të futen në një thes me komunitetin serb. Ato kanë identitete të veçanta nga komuniteti serb, por edhe qëndrime, synime dhe objektiva të ndryshme nga ato të komunitetit serb. Më e rëndësishmja, së paku në performancë, për dallim nga përfaqësuesit e zgjedhur të komunitetit serb, përfaqësuesit e zgjedhur nga komunitetet joserbe janë patriotë të dëshmuar të kësaj Republike.
Le t’ma shpjegon dikush se me çfarë të drejte disa parti e organizata shqiptare refuzojnë ta marrin në konsideratë mendimin, qëndrimin dhe vullnetin deputetëve të zgjedhur nga komunitetet jo shumicë? Këto komunitete nuk janë komunitete të një vlere më të ulët, siç po sugjerohet nga artikulimet që po qarkullojnë. Ato kanë zë, qëndrim e mendim dhe nuk janë dekor dhe as bisht i komunitetit serb.
Pastaj, zonja Emilija Rexhepi është votuar dhe konfirmuar si nënkryetare Kuvendi. Me çfarë të drejte ne do i themi asaj, na vjen keq por ai votim nuk vlen sepse ti nuk mund të zgjidhesh pa u çiftëzuar në votim me kandidatin serb? Thjesht është padrejtësi dhe nënçmim i madh që e cenon dinjitetin e këtyre komuniteteve.
Mendoni e analizoni gjërat me pak më shumë kujdes se për besë nuk e keni mirë./lajmi.net/