Kryeziu: Deklarata e Konjufcës s’ishte akuzë, drafti për Asociacionin duhet të jetë kompetencë e Qeverisë
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu, nuk e konsideron akuzë deklaratën e kryeparlamentarit Konjufca në raport me kërkesën e BE-së por konfirmim të qëndrimit të Qeverisë se palët nuk po trajtohen njësoj në dialog. Sipas saj, dialogu ka ngecur pikërisht për arsye se Serbia është lejuar të veprojë siç ka dashur ndërsa ndaj Kosovës janë…
Lajme
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu, nuk e konsideron akuzë deklaratën e kryeparlamentarit Konjufca në raport me kërkesën e BE-së por konfirmim të qëndrimit të Qeverisë se palët nuk po trajtohen njësoj në dialog.
Sipas saj, dialogu ka ngecur pikërisht për arsye se Serbia është lejuar të veprojë siç ka dashur ndërsa ndaj Kosovës janë bërë kërkesa të vazhdueshme çka ka krijuar mosbesim.
“Në fakt ajo çfarë kryeparlamentari Konjufca ka thënë në raport me kërkesën e Bashkimit Evropian nuk mendoj se është akuzë është më shumë konfirmim i qëndrimit tonë që ne në vazhdimësi e kemi mbajtur duke thënë që palët nuk po trajtohen barabartë dhe se mendojmë që kjo është qasje problematike e cila në një moment të caktuar edhe do të krijojë telashe të tilla si ato me të cilat po përballen palët sot që po e pamundëson mbarëvajtjen e dialogut. Pra dialogu ka ngecur për një kohë të gjatë pikërisht për shkak se nuk ka pasur qasje të barabartë në mes të palëve dhe pikërisht për shkak se njëra palë është lejuar të veprojë siç ka dashur ndërkohë ndaj palës tjetër janë bërë kërkesa të vazhdueshme dhe mendoj se kjo ka krijuar mosbesim”, ka thënë ajo në Tëvë1.
Kryeziu ka thënë se VV-ja vlerëson që hartimi i një drafti për Asociacionin duhet të jetë kompetencë dhe e drejtë e Qeverisë së Kosovës pasi sipas tyre nuk mund ta dijë askush më mirë se çfarë i përshtatet Kosovës.
“Ne mendojmë se nëse vie puna deri tek hartimi i një drafti kjo duhet të jetë kompetencë dhe e drejtë e Qeverisë së Kosovës sepse askush më mirë sesa Qeveria e këtij vendi nuk mund të dijë të hartojë një draft ose të përdorë një model i cili i përshtatet specifikave të cilat i ka vendi ynë”, ka shtuar Kryeziu.
Të hënën, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, në konferencë për media sa i përket draftit për Asociacionin ka thënë se Bashkimi Evropian po e trajton Kosovën si jo shtet, duke thënë se qasja e BE-së është diskriminuese.