Kryetari i Supremes: Paga e gjyqtarit është modeste- nëse duan gjyqtarë me integritet e s’e kanë mendjen te fundi muajit, duhet siguru pagë e dinjitetshme

Gjyqtarë të shumtë e përfaqësues të gjyqësisë në Kosovë janë mbledhur sot. Të njëjtit u mblodhën tek Këshilli Gjyqësorë për të zhvilluar asamblenë e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës. Ky takim është drejtuar nga Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi. E një prej temave më të diskutueshme dhe shqetësimi i vazhdueshëm që u ngrit…

Lajme

23/09/2026 12:35

Gjyqtarë të shumtë e përfaqësues të gjyqësisë në Kosovë janë mbledhur sot.

Të njëjtit u mblodhën tek Këshilli Gjyqësorë për të zhvilluar asamblenë e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës.

Ky takim është drejtuar nga Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi.

E një prej temave më të diskutueshme dhe shqetësimi i vazhdueshëm që u ngrit aty janë pagat e gjyqtarëve.

Madje u tha se është shqetësuese se si gjyqtarët duhet të mendojnë për fundin e muajit, për shkak se pagat janë të ulëta madje më të ulëtat në rajon.

“Njëjtë e marrin pagën edhe gjyqtari me 20 vjet përvojë pune, edhe ai me një vit përvojë pune. Pra s’merret parasysh hiç kjo përvojë e punës”, u tha në Asamble.

“Pagat brenda sistemit gjyqësorë nuk janë ato që e bëjnë gjyqtarin me u ndjeh mirë brenda sistemit, e nuk besoj që gjyqtarët që nuk kanë një idealizëm që rrinë brenda sistemit për pagë. Paga është modeste nuk mundemi me thanë që kemi më pagë të dinjitetshme që plotëson nevojat tona të përditshme. Gjithë rajoni kur është bërë vendimi i vitit 2018 i kanë pas pagat më të vogla se tonat, sot asnjëri prej shteteve në rajon s’i ka pagat që i marrim na, gjithë i kanë më të larta. Madje Shqipëria me rritje e fundit e ka dyfishin e pagave të gjyqtarëve të Kosovës”,deklaroi Kryetari i Gjykatës Supreme, Rexhepi.

“Në qoftë se dojmë me pas gjyqtarë me integritet e që i shërben drejtësisë dhe s’e kanë mendjen se si do t’i pret fundi i muajit mendoj se kjo shoqni i ka borxh t’ia sigurojë mirëqenien gjyqtarëve e t’u sigurojë një pagë të dinjitetshme dhe u ofron një jetë të rehatshme, pa menduar se cili është fundi i muajit. Për këtë besoj se duhet me mendu ata që e kanë buxhetin shumë më thellë se sa mendojnë tash. Ajo që unë mendoj se që është momenti për me reflektue dhe Këshilli Gjyqësorë duhet ta ketë në mendje dhe t’i drejtohet qeverisë dhe ministrisë së financave e të bëjë një zgjidhje sa i përket lëndëve që janë brenda sistemit për përvojë të punës e të gjitha kategoritë”,shtoi ai.

Gjithashtu u kërkua që Këshilli Gjyqësorë t’u drejtohet me shkresë dhe të sqarojë dëmin që do t’i sjellë buxhetit nëse ato lëndë do trajtohen brenda sistemit tonë gjyqësorë.

“Na e dina se kemi pasur lëndë prej kontratave kolektive por në shumicën e tyre kanë qenë më të larta shpenzimet gjyqësorë që janë pagu se sa që ka pas që janë pagu prej shtetit, se sa që kanë marrë subjektet që ishin palë proceduese.E njëjta do jetë me përvojën e punës, dëmi i buxhetit do të jetë enorm, miliona euro do shpenzohen për shpenzime gjyqësore pa asnjë arsye. Vendosja është e qartë brenda sistemit gjyqësorë, në momentin që nxjerrë Gjykata Kushtetuese vendosi është e qartë, kështu që Qeveria dhe Ministria e Financave mendoj se se ka asnjë arsye që këto çështje t’i lërë të vendosen brenda sistemit gjyqësorë por duhet zgjidhur brenda vetë administratës shtetërore, duke reflektuar dhe bë pagesat për secilën kategori siç u takojnë në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Mendoj se është detyrim i Këshillit që t’i drejtohet me një shkrim Qeverisë e Ministrisë. Mos të na detyrojnë që realizimin e të drejtave gjyqësore sepse besoj se janë të panevojshme”, deklaroi Rexhepi.

Në fund kryesuesi Rexhepi kërkoi votë për pajtueshmëri, ku të gjithë anëtarët votuan pro.

“A pajtoheni? Konstatoj se në mënyrë unanime jemi pajtuar që KGJK t’i drejtohet qeverisë dhe ministrisë me kërkesë që edhe për çështjen e pagesave”./Lajmi.net/