Kryetari i Deçanit thotë se nuk i merr seriozisht ambasadorët e QUINT-it

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë se ka pasur një tension të madh për shkak të rrugës afër Manastirit të Deçanit, pas datës së 4 shtatorit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë.

Lajme

02/06/2022 21:55

Ramosaj në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, tha para se të shkohet në Shtëpinë e Bardhë është tensionuar situata me personelin e Manastirit dhe sipas tij është shfrytëzuar ky momentum.

“Edhe pas datës 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, kur Kosova merr përsipër t’i respektojë vendimet e gjykatave. Pas kësaj date ne kemi pasur një tension tepër të madh në muajin gusht për shkak të rrugës. Që fatmirësisht ne kemi marrë leje prej këtij personeli të Manastirit që me i riparu ato gropa. Mandej është tensionuar situata shumë sepse është shfrytëzuar ky momentum para se me shku në Shtëpinë e Bardhë. Dhe unë prapë kam bërë kërkesë, hajde ulemi të diskutojmë, dhe më është bërë tepër e qartë që unë jam i veshur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, jam i veshur edhe me një marrëveshje që e ki para presidentit Trump”, tha ai.

Ai thotë se nganjëherë ambasadorët e QUINT-it nuk i merr seriozisht, pasi sipas tij, po atyre iu konvenon heshtja.

“Edhe një vendim ka ndodhur po atë vit, një pajtueshmëri që ka të bëjë me rrugën, që realisht nganjëherë një pjesë të këtij kori diplomatik nuk e marrë shumë seriozisht sepse po duket sikur po u konvenon kjo farë heshtje”, ka deklaruar Ramosaj.

Në vitin 2016 Gjykata Kushtetuese ka vendosur që 24 hektarë tokë që në vitin 1946 i janë marrë Manastirit të Deçanit  dhe më pas i janë kthyer më 1997 nga Serbia, t’i kthehen edhe nga institucionet e Kosovës. 6 vite pas vendimit të Kushtetueses po bëhet presion për zbatimin e tij. Ditë më parë edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it vizituan Manastirin e Deçanit dhe kërkuan që vendimi të zbatohet.