Kryetari Ahmeti nuk jeton në Prishtinë

Komuna e Prishtinës, e drejtuar nga kryetari Shpend Ahmeti, po kritikohet shkaku se po e qeverisë kryeqytetin me drejtorë komunal të sjellë nga qendra të tjera të vendit. Por nuk janë vetëm vartësit e Ahmetit ata që për vendbanim të përhershëm nuk e kanë Prishtinën. Edhe vetë kryetari nuk jeton në Prishtinë. 

Lajme

09/08/2014 22:02

Pas dorëheqjes së Jusuf Thaçit nga posti i drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, i cili vinte nga komuna e Drenasit, kryetari Shpend Ahmeti në vend të tij emëroi një jo prishtinase.

Njërën prej drejtorive më të rëndësishme në komunë ai ia besoi ish kandidates për kryetare të Gjakovës, Arbërie Nagavci.

Ky vendim u kritikua nga opozita, ku LDK e vlerësoi edhe si ofenduese për Prishtinën, që të sillen kuadro nga jashtë për të qeverisur me kryeqytetin.

Kryetari Ahmeti e mbrojti me këmbëngulje veprimin e tij, duke thënë se fare nuk e ka problem këtë, pasi atij i intereson profesionalizmi dhe jo prej nga vijnë vartësit e tij.

Por, Ahmeti i lindur dhe rritur në kryeqytet, tani kur drejton Prishtinën, vetë nuk jeton në këtë komunë.

Ai pasi të përfundon orarin e punës, merr rrugë për në komunën e cila drejtohet nga një koleg i tij me kombësi serbe. Kryetari Ahmeti bashkë me familjen e tij, janë banorë të lagjes “Nic” e cila administrativisht është në territorin e Graçanicës.

Në të njëjtën lagje jeton edhe numri dy i komunës, Dardan Sejdiu.

Bashkë me nënkryetarin Sejdiu, kryetari Ahmeti çdo ditë pune në mëngjes marrin autobusin e Trafikut Urban për të rënë në Prishtinë. (lajmi.net)