Kryetarët serbë duhet t’u përmbahen ligjeve të Kosovës

Ministri Bajram Rexhepi thotë se Kryetarët e Komunave nga “Lista Serbe” duhet t’u përmbahen ligjeve dhe rregullave të Republikës së Kosovës. Sipas tij, sabotimi nuk është në interes të askujt.

Lajme

13/12/2013 09:37

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Bajram Rexhepi, ka thënë se nëntë kryetarët e rinj serbë, të cilët kanë dalë fitues në zgjedhjet lokale, duhet t’u përshtaten rregullave që aplikohen për të gjitha komunat në Republikën e Kosovës.

“Këta përfaqësues legjitimë do t’i përshtaten rregullativës që aplikohet për të gjitha komunat e tjera në Republikën e Kosovës dhe ky është një hap i rëndësishëm për inkuadrimin aktiv të qytetarëve në jetën politike dhe institucionale të Republikës së Kosovës”, ka thënë Rexhepi në një intervistë për “Epokën e re”.

Ai ka thënë se përfaqësuesit e Listës “Srpska” janë përfaqësues të qytetarëve të komunave të Kosovës. Sipas tij, Qeveria e Republikës së Kosovës së bashku me komunitetin ndërkombëtar presin qasje konstruktive dhe bashkëpunuese nga këta përfaqësues me nivelin qendror.

Rexhepi ka vlerësuar se sabotimi nuk është në interes të askujt dhe as në interes të përfaqësuesve të Listës “Srpska”.

Duke folur për zgjedhjet lokale, Rexhepi ka thënë se Kosova me këto zgjedhje ka kaluar një test demokratik.

“Kosova në zgjedhjet lokale kaloi testin e rëndësishëm të pjekurisë demokratike”, ka thënë Rexhepi.

Ai ka folur edhe për vizitën që ditë më parë ka zhvilluar në Kosovë një mision faktmbledhës i Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave. Sipas tij, përshtypjet preliminare të këtyre zyrtarëve janë shumë pozitive për Kosovën.

“Përshtypjet preliminare të ekspertëve të Bashkimit Europian dhe zyrtarëve të Komisionit Europian janë se Kosova ka bërë progres të konsiderueshëm në zbatimin e kritereve që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave, në veçanti në adoptimin dhe zbatimin e legjislacionit në përputhje të plotë me standardet evropiane dhe krijimin e mekanizmave përkatës në fusha të ndryshme si ajo e ripranimit, ri-integrimit, azilit dhe migracionit”, ka thënë Rexhepi.