Kryesia e Kuvendit mbledhet, por vendimet e rëndësishme ngecin

Kuvendi i Kosovës ka dalë sot me një postim zyrtar për të informuar rreth mbledhjes së Kryesisë së Legjislaturës IX, e cila u zhvillua nën drejtimin e kryetarit Dimal Basha. Gjatë mbledhjes, Kryesia diskutoi mbi funksionalizimin e komisioneve parlamentare dhe çështjet e buxhetit, duke theksuar rëndësinë e dakordësimit politik: “Për adresimin e këtyre çështjeve ai…

Lajme

30/10/2025 20:25

Kuvendi i Kosovës ka dalë sot me një postim zyrtar për të informuar rreth mbledhjes së Kryesisë së Legjislaturës IX, e cila u zhvillua nën drejtimin e kryetarit Dimal Basha.

Gjatë mbledhjes, Kryesia diskutoi mbi funksionalizimin e komisioneve parlamentare dhe çështjet e buxhetit, duke theksuar rëndësinë e dakordësimit politik: “Për adresimin e këtyre çështjeve ai shtroi nevojën e një dakordimi politik për të funksionalizuar komisionet parlamentare si parakusht, duke vlerësuar se i gjithë ky proces nuk bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet”, transmeton lajmi.net.

Nënkryetarët e Kuvendit, Vlora Çitaku (PDK) dhe Kujtim Shala (LDK), shprehën pikëpamjet e tyre për situatën aktuale të funksionalizimit të Kuvendit, duke theksuar kufizimet ligjore dhe kompetencat e Kryesisë: “Në situatën aktuale Kryesia dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës mund të trajtojnë vetëm një pikë të rendit të ditës, atë për votimin për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Sipas tyre, çdo veprim tjetër parlamentar bie ndesh me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor.”

Për shkak të mungesës së konsensusit, Kryesia njoftoi kufizimet në procedimin e pikave të rendit të ditës:

“Në mungesë të konsensusit politik kryetari Basha shprehu keqardhje që nuk gjeti mirëkuptimin e të pranishmëve, dhe marrë parasysh që nuk kishte dakordim, tha se nuk mund të procedohet më tutje me pikat e lartcekura.”

Postimi thekson gjithashtu se Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj, duke nënvizuar rëndësinë e mbajtjes së mbledhjeve edhe në kushte të vështira për funksionalizimin e Kuvendit.

Njoftimi i plotë: 

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
Nën drejtimin e kryetarit Dimal Basha u mbajt sot mbledhja e parë e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës e Legjislaturës IX.
Konform rendit të ditës Kryesia diskutoi lidhur me mundësinë e funksionalizimin e trupave punuese të Kuvendit, përkatësisht komisioneve parlamentare, si dhe miratimit të buxhetit të RTK-së, buxheteve komunale për vitin 2025 për komunat Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok, si dhe kishte diskutime edhe për buxhetin vjetor për vitin 2026.
Kryetari Dimal Basha vlerësoi se edhe pse Kuvendi gjendet në një situatë të pazakontë sa i përket funksionalizimit të trupave punuese dhe ecurisë së punës, e konsideroi të rëndësishme themelimin e tyre dhe adresimin e këtyre tre çështjeve që kërkojnë vëmendje të përshpejtuar.
Duke kërkuar vullnet politik nga të gjitha grupet parlamentare, kryetari i Kuvendit e konsideroi të një rëndësie të veçantë miratimin e buxhetit për RTK-në, miratimin e buxheteve komunale për vitin 2025 për komunat Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok, por edhe vet Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026. Për adresimin e këtyre çështjeve ai shtroi nevojën e një dakordimi politik për të funksionalizuar komisionet parlamentare si parakusht, duke vlerësuar se i gjithë ky proces nuk bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet.
Në të njëjtën frymë ishte edhe diskutimi i nënkryetares Albulena Haxhiu (VV).
Nënkryetarja Vlora Çitaku (PDK) dhe nënkryetari Kujtim Shala (LDK), nga ana e tyre vlerësuan se në situatën aktuale Kryesia dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës mund të trajtojnë vetëm një pikë të rendit të ditës, atë për votimin për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Sipas tyre, çdo veprim tjetër parlamentar bie ndesh me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor.
Në mungesë të konsensusit politik kryetari Basha shprehu keqardhje që nuk gjeti mirëkuptimin e të pranishmëve, dhe marrë parasysh që nuk kishte dakordim, tha se nuk mund të procedohet më tutje me pikat e lartcekura.
Në këtë mbledhje Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj./lajmi.net/