Kryeprokurorja me akuza ndaj Thaçit: Pretendon se udhëzoi dëshmitarët si të ndryshonin deklaratat

Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka paraqitur pretendimet e Prokurorisë gjatë seancës së deklaratave përfundimtare në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit dhe të bashkëakuzuarve të tij. West ka pretenduar se Thaçi u ka dhënë udhëzime dëshmitarëve dhe të bashkëakuzuarve lidhur me mënyrën se si duhej të korrigjoheshin ose të shpjegoheshin pjesë të deklaratave të tyre,…

Lajme

10/09/2026 10:44

Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka paraqitur pretendimet e Prokurorisë gjatë seancës së deklaratave përfundimtare në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit dhe të bashkëakuzuarve të tij.

West ka pretenduar se Thaçi u ka dhënë udhëzime dëshmitarëve dhe të bashkëakuzuarve lidhur me mënyrën se si duhej të korrigjoheshin ose të shpjegoheshin pjesë të deklaratave të tyre, me qëllim që të mos implikohej ai në vepra penale.

Sipas saj, në një rast, Thaçi kishte udhëzuar bashkëakuzuarin Hajredin Kuçi se një dëshmitar duhej ta korrigjonte deklaratën e tij, veçanërisht pjesën e gjashtë, si dhe faqen 7, rreshtin 9, në mënyrë që të mos implikohej Thaçi.

West ka përmendur edhe një rast tjetër, ku, sipas saj, udhëzimi i Thaçit kishte qenë më i përgjithshëm. Ajo ka cituar shprehjen: “Duhet të heqim të gjithë periudhën e verës”.

Sipas Prokurorisë, pavarësisht dallimeve në formën e udhëzimeve, dëshmitarët duhej ta kuptonin atë që West e ka cilësuar si direktivën kryesore të Thaçit: “asnjë dëm”.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, me “dëm” nënkuptohej dëshmia që mund ta implikonte Thaçin në vepra penale dhe, në këtë kuptim, dëshmitarët duhej të shmangnin pjesë të tilla të deklarimeve të tyre.

West ka pretenduar gjithashtu se Thaçi u kishte dhënë udhëzime bashkëakuzuarve lidhur me mënyrën se si duhej t’i shpjegonin ndryshimet në deklaratat e dëshmitarëve.

Sipas saj, ndër arsyetimet që mund të përdoreshin ishin pretendimet se deklarata kishte pasur probleme me përkthimin, se kishte qenë lapsus, se dëshmitari kishte qenë i lodhur dhe kishte ngatërruar gjërat, ose se informacioni kishte qenë thjesht thashethem.

Kryeprokurorja West ka pretenduar se këto udhëzime ishin pjesë e përpjekjeve për të ndikuar në mënyrën se si dëshmitarët i paraqisnin ose i korrigjonin deklaratat e tyre, duke synuar që provat të mos e implikonin Thaçin.

Pretendimet e mësipërme janë paraqitur nga Prokuroria gjatë deklaratave përfundimtare dhe përbëjnë argumentet e saj në këtë fazë të procesit gjyqësor. /Lajmi.net/