Kryeparlamentari Basha i jep “vulë” edhe në Facebook: Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar plotësisht
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se Kuvendi është tashmë i konstituuar në përbërje të plotë, pas zgjedhjes së Nenad Rashiq si Nënkryetar nga radhët e komunitetit serb. “Pas një periudhe të gjatë, Kryesia e Kuvendit është tashmë e kompletuar në përbërje të plotë, ashtu…

Lajme
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se Kuvendi është tashmë i konstituuar në përbërje të plotë, pas zgjedhjes së Nenad Rashiq si Nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.
“Pas një periudhe të gjatë, Kryesia e Kuvendit është tashmë e kompletuar në përbërje të plotë, ashtu siç parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit,” ka deklaruar Basha, transmeton lajmi.net.
Deputeti Nenad Rashiq u zgjodh sot me 71 vota për, duke përmbyllur kështu strukturimin e Kryesisë së Kuvendit për legjislaturën e nëntë. Kryetari Basha ka falënderuar deputetët që votuan për këtë vendim, duke theksuar se ai mundësoi funksionimin e plotë të Kuvendit në përputhje me normat kushtetuese dhe ligjore.
Ky zhvillim vjen pas një periudhe të zgjatur në të cilën posti i nënkryetarit nga komuniteti serb kishte mbetur vakant.
Postimi i plotë i Dimal Bashës:
Të dashur qytetarë,
Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se sot, me 71 vota për, Kuvendi i Republikës së Kosovës zgjodhi deputetin Nenad Rashiq në pozitën e Nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, dhe me këtë vendim Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar plotësisht.
Pas një periudhe të gjatë, Kryesia e Kuvendit është tashmë e kompletuar në përbërje të plotë, ashtu siç parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit.
Falënderoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që me votat e tyre mundësuan konstituimin e plotë të Kuvendit në legjislaturën e IX-të./lajmi.net/