Kryeministri spanjoll sulmon ashpër Elon Musk: Mbështet trashëgimtarët e nazizmit
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka akuzuar miliarderin Elon Musk për ndërhyrje në politikën evropiane, duke e cilësuar atë si një kërcënim për demokracinë. Gjatë një fjalimi në Madrid, në 50-vjetorin e vdekjes së diktatorit Francisco Franco, Sanchez deklaroi: “E djathta ekstreme ndërkombëtare, e udhëhequr nga njeriu më i pasur në botë, po sulmon hapur institucionet…
Bota
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka akuzuar miliarderin Elon Musk për ndërhyrje në politikën evropiane, duke e cilësuar atë si një kërcënim për demokracinë. Gjatë një fjalimi në Madrid, në 50-vjetorin e vdekjes së diktatorit Francisco Franco, Sanchez deklaroi:
“E djathta ekstreme ndërkombëtare, e udhëhequr nga njeriu më i pasur në botë, po sulmon hapur institucionet tona, nxit urrejtje dhe mbështet trashëgimtarët e nazizmit në Gjermani.”
Sanchez reagoi pas komenteve të fundit të Musk në rrjetin social X (ish-Tëitter), ku miliarderi komentoi mbi një artikull lidhur me përqindjen e të huajve të përfshirë në krime në Katalonjë. Kryeministri spanjoll nënvizoi se demokracia përballet me kërcënime ekzistenciale dhe se mbrojtja e saj është detyrim.
Ndërkohë, edhe Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka shprehur shqetësim për ndërhyrjet e Musk në proceset politike globale. Gjatë një takimi me ambasadorët francezë, Macron e akuzoi pronarin e rrjetit X për mbështetje të lëvizjeve politike ekstremiste, përfshirë partinë gjermane Alternativa për Gjermaninë (AfD). Macron deklaroi se “ndikimi i miliarderëve teknologjikë në demokracitë evropiane është një sfidë që nuk duhet neglizhuar.”
Musk, i cili ka mbështetur hapur AfD-në, e ka përshkruar këtë parti si “shpresën e vetme për shpëtimin e Gjermanisë.” Komentet e tij kanë shkaktuar reagime të ashpra nga kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili theksoi se Gjermania mbetet një demokraci e fortë, e paprekur nga deklaratat provokuese.
Ndërsa tensionet mes Musk dhe liderëve evropianë përshkallëzohen, shumë nga këta liderë po përpiqen të koordinojnë përpjekjet për të kufizuar ndikimin e miliarderëve teknologjikë në proceset demokratike. Në këtë linjë, Macron ka ritheksuar mbështetjen për aleatët tradicionalë të Evropës dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit politik.
Në një klimë ku teknologjia dhe politika ndërthuren gjithnjë e më shumë, ndërhyrjet e Musk ngrejnë pyetje mbi rregullimin e rrjeteve sociale dhe rolin e tyre në proceset zgjedhore. Ndikimi i tij, sidomos në mbështetjen e partive kundër establishmentit, mbetet një sfidë për demokracitë evropiane.