Kryeministri Kurti: Reformimi i prokurimit publik ndër pikat më të rëndësishme në luftimin e korrupsionit

Sot është Dita ndërkombëtare kundër-korrupsionit dhe nuk ka ditë më të mirë se sa sot të flasim për prokurimin publik, si një nga burimet e mëdha të korrupsionit, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fillim të fjalës së tij, në shënimin e Ditës Kundër Korrupsionit 2021, ku u përmbyll edhe aktiviteti i USAID-it - Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse në Kosovë.

Lajme

09/12/2021 12:22

Kryeministri Kurti tha se për qeverinë, reformimi i prokurimit publik është ndër pikat më të rëndësishme në luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e keqpërdorimit të parasë publike.

 “Në vitet e mëhershme ai përbënte një të tretën e buxhetit, dhe ndonëse volumi i prokurimit mund të jetë më i ulët këtë vit si rezultat i analizimit të shumë tenderëve dhe projekteve gjatë vitit paraprak, vitin tjetër ai mund të rritet me më shumë vepra publike, me çerdhe të reja, me rrugë e infrastrukturë përcjellëse për urbanizimin e qyteteve dhe ringjalljen e fshatrave”, tha ai. 

  Prandaj, prokurimi publik, siç tha kryeministri, duhet të jetë i mirë-planifikuar, i mirë-menaxhuar, me mekanizma të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies dhe me zyrtarë profesional me integritet moral.

 Kryeministri numëroi tri probleme të cilat, tha se do të trajtohen me përpikëri vitin që vjen: strukturore, ligjore dhe profesionale e funksionale. 

 Mosadresimi i këtyre problemeve, sipas tij, do të vazhdonte pasojat tashmë të njohura të korrupsionit: Ritenderim për punët e njëjta për shkak se kualiteti për të cilin ka paguar qytetari me taksat e tij është komprometuar duke kaluar në xhepat e zyrtarëve e të biznesit, pasurim i paligjshëm përmes kontratave të korruptuara, favorizim i bizneseve të lidhura me zyrtarë e pushtetarë të caktuar, ku kemi pasur biznese të oborrit qeveritar.

 Kryeministri Kurti ritheksoi se pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, korrupsioni nuk mundet më të jetë i lidhur me nivelin e lartë politik apo me nivelin e lartë të ndërmarrjeve shtetërore, sepse siç u shpreh ai, ne kemi zgjedhur një qeveri me profesionistë, njerëz të mirë-edukuar dhe me integritet të lartë moral.

 Nëse e kundërta dëshmohet ju garantoj këtu që masat do të jenë të menjëhershme sepse toleranca ndaj korrupsionit në këtë qeveri është ZERO, shtoi ai. 

 Kryeministri përgëzoi dhe falënderoi USAID-in dhe partnerin zbatues për realizimin e projektit Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse në Kosovë i njohur si “TEAM”, një projekt ky 5 vjeçar që ka filluar në 2017.

 Qëllimi i këtij projekti ishte ngritja e transparencës, llogaridhënies dhe efektivitetit në prokurim publik, si një mjet për përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e besimit të publikut, veçanërisht në nivel komunal.

 Fjalimi i plotë i kryeministrit Kurti:

 I nderuar i ngarkuari me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, z. Nicholas J. Giacobbe,

E nderuar drejtuese e misionit të USAID-it në Kosovë, znj. Zeinah Salahi,

Të  nderuar staf i projektit USAID Team,

Të nderuar drejtues e përfaqësues të institucioneve, ministra e kryetarë të komunave, anëtarë të shoqërisë civile,

Zonja e zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

 Duke ju referuar studimeve të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) Kombet e Bashkuara konstatojnë se kostoja globale e korrupsionit qëndron në 2,6 trilion dollarë apo 5% e Bruto Produktit Vendor botëror dhe se të dhënat nga Banka Botërore tregojnë se bizneset dhe individët çdo vit paguajnë më shumë se 1 trilion dollarë në vit në ryshfet. Një trilion dollarë është një mijë miliarda, një njësh me 12 zero. 

Kosova ka pjesën e vet të historisë me korrupsion nga ku zyrtarë të shumtë e biznesmenë të lidhur me ta kanë vjelë taksat e qytetarëve duke krijuar pasuri marramendëse të cilën nuk e justifikojnë dot. 

  Sot është Dita ndërkombëtare kundër-korrupsionit dhe nuk ka ditë më të mirë se sa sot të flasim për prokurim publik si  një nga burimet e mëdha të korrupsionit.

 Por para se të flas për këtë temë, më lejoni që së pari të përgëzoj dhe falënderoj USAID dhe partnerin zbatues për realizimin e projektit Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse në Kosovë i njohur si “TEAM”, një projekt ky 5 vjeçar që ka filluar në 2017. Qëllimi i këtij projekti ishte ngritja e transparencës, llogaridhënies dhe efektivitetit në prokurim publik, si një mjet për përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e besimit të publikut, veçanërisht në nivel komunal.

  Ju falënderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer që keni pasur me 15 komunat përfituese dhe me institucionet qendrore sikurse Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, Zyrën Kombëtare të Auditorit, Ministrinë e Financave e të tjera.

  Dhe padyshim ju përgëzoj për të arriturat me këtë projekt. Ashtu siç konfirmohet edhe nga vetë KRPP-ja, projekti juaj ka ndihmuar KRPP-në që prokurimi publik të kthehet nga ai tradicional me letra, në atë elektronik duke bërë që i gjithë cikli i prokurimit të kryhet online duke kursyer kështu kohë dhe para, por edhe duke shmangur në masë të madhe keqpërdorimin. Është rritur funksionaliteti, besueshmëria dhe janë shtuar module të reja të cilat ndihmojnë në llogaridhënie, menaxhim më të mirë dhe transparencë të shtuar siç është rasti me modulin për menaxhimin e kontratave dhe vlerësimin e performancës së kontraktorit. Projekti u ka ndihmuar shumë edhe organizatave të shoqërisë civile dhe mediave që të krijojnë mjete për të gjetur më lehtë shkeljet dhe për të alarmuar institucionet përgjegjëse që t’i marrin masat e duhura, arritje këto të cilat kam dëgjuar se Kosovën do ta bëjnë shembull në rajon. 

Të gjitha këto arritje janë falë punës dhe angazhimit të të gjithë akterëve në këtë sektor dhe sidomos  mbështetjes së vazhdueshme si financiare po ashtu edhe këshilluese nga partnerët tanë në USAID të cilët i falënderoj për angazhimin e tyre. 

 Për qeverinë tonë të re, reformimi i prokurimit publik është ndër pikat më të rëndësishme në luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e keqpërdorimit të parasë publike. Në vitet e mëhershme ai përbënte një të tretën e buxhetit, dhe ndonëse volumi i prokurimit mund të jetë më i ulët këtë vit si rezultat i analizimit të shumë tenderëve dhe projekteve gjatë vitit paraprak, vitin tjetër ai mund të rritet me më shumë vepra publike, me çerdhe të reja, me rrugë e infrastrukturë përcjellëse për urbanizimin e qyteteve dhe ringjalljen e fshatrave. 

 Prandaj prokurimi publik duhet të jetë i mirë-planifikuar, i mirë-menaxhuar, me mekanizma të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies dhe me zyrtarë profesional me integritet moral.

Ne e dimë se vlerësimet e përvitshme të organizatave të ndryshme tregonin se korrupsioni, ashtu si pushteti politik dhe financiar ka qenë i përqendruar rreth qeverisë, dhe se fushat më të korruptuara janë konsideruar prokurimi publik, ndërmarrjet shtetërore dhe bizneset private.

 Këtë vlerësim e kemi ndarë edhe ne dhe siç u pa edhe në zgjedhjet në shkurt të këtij viti, këtë mendim e ndajnë shumica e popullit të Kosovës.

Ajo që tashmë ka ndodhur në Kosovë është se korrupsioni nuk mundet më, pas 14 shkurtit, të jetë i lidhur me nivelin e lartë politik apo me nivelin e lartë të ndërmarrjeve shtetërore sepse ne kemi zgjedhur një qeveri me profesionistë, njerëz të mirë-edukuar dhe me integritet të lartë moral. Nëse e kundërta dëshmohet ju garantoj këtu që masat do të jenë të menjëhershme sepse toleranca ndaj korrupsionit në këtë qeveri është ZERO. 

Por, siç e dini edhe ju, korrupsioni në prokurimin publik apo ‘vjedhja me tenderë siç e quan populli’, nuk është një ndërmarrje e thjeshtë. Aty përfshihet një rrjet i gjerë i institucioneve dhe individëve të cilat nëse nuk adresohen në formë të përgjithshme, rrezikojmë që vrimat në pjesë të caktuara të bëjnë që të rrjedhin taksat e qytetarëve në xhepat e të korruptuarve dhe të dëmtohet besimi në institucione e në sistemin e drejtësisë, si dhe të zbehet perspektiva socio-ekonomike në të ardhmen.

Në këtë vit të hyrat tatimore, krahasuar me vitin e kaluar, janë rritur për një të tretën, po ashtu edhe investimet direkte janë rritur për 1/3.

Qytetarët përfitojnë edhe për shkak se buxheti nuk dëmtohet nga korrupsioni, por edhe për shkak se ata kontribuojnë më shumë në buxhet kur nuk ka korrupsion.

 Nga analiza të ndryshme del se kryesisht janë tri probleme që duhet adresuar e të cilat do të fillojmë t’i trajtojmë me përpikëri vitin që vjen. Ato janë: strukturore, ligjore dhe profesionale e funksionale. 

  Tek ato strukturore kam katër pika kryesore: 

•          Ne kemi mbi 180 autoritete kontraktuese të cilat janë shumë për një shtet relativisht jo të madh. Ne duhet të rishikojmë domosdoshmërinë e të gjithë këtyre autoriteteve kontraktuese sepse sa më shumë që janë aq më shumë hapësirë për kontraktime, të cilat mund t’i ikin mbikëqyrjes por edhe që rezulton me blerje me çmime të ndryshme për produkte të njëjta. Shumë shërbime e kontraktime mund të bëhen me shumëfish më pak autoritete kontraktuese.

•          KRPP-ja është autoritet rregullativ por duhet të jetë më efektiv në monitorim, përcaktimin e rregullave dhe bashkëpunimin me institucione tjera.

•          Institucione të rëndësishme të cilat janë të lidhura direkt me prokurimin nuk po konsiderohen pjesë e këtij procesi. Këtu e kam fjalën për Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve ARBK-në, Administratën Tatimore të Kosovës, por edhe gjykatat. 

•          Skandale të shumta kanë bërë që të bie besimi në OShP, diçka që shpresojmë që bordi i ri i ardhshëm ta korrigjojë, por askush nuk duhet të marrë ligjin në duar dhe askush nuk duhet t’i ikë përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Transparenca në këtë drejtim është çelës.

  Prokurimi përfshin dy palë: Autoritetet Kontraktuese që janë publike dhe Operatorët Ekonomik që janë kryesisht biznese private. Duke qenë se tenderët fitohen kryesisht nga bizneset atëherë theksi duhet të jetë edhe tek ARBK-ja, ATK-ka dhe gjykatat për të ofruar transparencë mbi këto biznese dhe individë prapa bizneseve. 

  ARBK sepse aty kemi emrat e atyre që regjistrojnë e menaxhojnë biznesin, ATK sepse aty kemi pasqyrat financiare dhe pagesën e obligimeve tatimore por edhe auditimet, falimentimet e kreditë e tyre, dhe gjykatat sepse aty janë lëndët për personat e akuzuar të cilët nuk do duhej të merrnin pjesë në prokurim publik qoftë direkt apo indirekt. I gjithë ky proces duhet të jetë kontroll i digjitalizuar ku institucionet publike komunikojnë me sistemet e njëra-tjetrës duke konfirmuar statusin e operatorëve dhe personave dhe sistemi duhet të jetë ai që nuk kalon operatorët e personat me vepra penale e me shkelje të ligjit.

  Këto dhe shumë çështje tjera strukturore duhet t’i adresojmë në mënyrë që të evitohet sa më shumë keqpërdorimi i parasë publike por edhe ta bëjmë progresin të pakthyeshëm duke e digjitalizuar atë. Nuk mjafton të kemi progres, progresi duhet të jetë i pakthyeshëm, i qëndrueshëm. 

 Përveç problemeve strukturale janë dhe ato ligjore:

•          Unë e di se Ligji për Prokurimin Publik është ndryshuar disa herë por asnjëherë nuk është menduar një reformë e plotë që siç përmenda më lartë do të përfshinte edhe institucione tjera. 

•          Këto ndryshime duhet të:

o          përfshijnë sanksione për Autoritet Kontraktuese që nuk kryejnë planifikimet dhe menaxhimet e kërkuara.

o          duhet të përfshijnë listën e zezë për operatorët ekonomik të cilët dështojnë të ofrojnë kualitetin që kanë premtuar, të kryejnë punët në kohë, manipulojnë me dokumente apo edhe korruptojnë zyrtarë publikë.

o          Duhet të hapen kontratat. Kontratat publike duhet të jenë të hapura, me përjashtim të atyre që përmbajnë sekrete shtetërore të rregulluara me ligj. Këtu nuk po flas për mbrojtjen e sekreteve ku në vend se të mbulohen pjesët që konsiderohen sekret afarist mbi bazën e argumenteve, është ndaluar publikimi i plotë i kontratave qindra milionëshe. Nuk ka asnjë sekret afarist që nuk mund të publikohet i redaktuar. Taksat e paguara nga qytetarët nuk janë sekrete. 

o          Mjetet duhet të lidhen me thesarin. Duhet gjetur mënyra se si publikimi të jetë i thjeshtë dhe i atillë që u ofron qytetarëve të përcjellin paranë publike me publikim të urdhër pagesave dhe faturave të cilat u paguhen Operatorëve Ekonomikë.

o          Duhet të ndryshojmë ligjin për shoqëri tregtare.

         ARBK duhet t’i hapë të dhënat për menaxhmentin e kompanive. Historiku i plotë i pronarëve dhe i menaxhmentit, postet publike dhe aktet ligjore. Dhe duhet të lejohet verifikimi automatik i Operatorëve Ekonomik që aplikojnë në tendere si pjesë e kërkesave të dosjes së tenderit. Të dhënat duhet të ruhen në sistem dhe të jenë aty për t’i shërbyer mbamendjes së publikut dhe interesit të qytetarëve e mediave. 

o          Së fundi, na duhet “hapja e përfituesve përfundimtarë”. Këtu me gjasë do të na duhet një ligj i ri ku operatorët që marrin pjesë në prokurim publik do t’i nënshtrohen një transparence të shtuar. Për të qenë në gjendje që qytetarët të ndjekin paratë e tyre, shteti duhet t’u mundësojë të dinë se ku përfundon secili cent. Ne e dimë se shumë kompani që marrin pjesë në prokurimin publik janë degë e kompanive të ndryshme të regjistruara në Gjenevë, në Maltë e vende të tjera ku nuk tregohen aksionarët e vërtetë, por vetëm administratorët. Një ligji i ri do të bënte që asnjë operator të mos mund të marrë pjesë në prokurimin publik pa shpalosur të gjithë përfituesit. Dhe, natyrisht, nuk duhet të marrin pjesë në prokurimin publik kompanitë që operojnë në parajsa fiskale. 

  

•          Tek problemet janë ato profesionale.

Për të funksionuar prokurimi publik kërkohet profesionalizëm dhe zyrtarë me integritet.  Pra, kompetencë dhe integritet.

o          Duhet planifikim më i mirë si afatshkurtër ashtu edhe afatgjatë. Shembull: ju e dini se pjesë e kërkesave të tenderit është edhe përgjegjshmëria e ofertës. Nuk do duhej të merr tender asnjë operator i cili qartazi mashtron në tenderë duke abuzuar me ofertat me “çmimin më të ulët”. Ky lloj i dhënies së kontratave ose duhet t’i nënshtrohet një planifikimi të mirëfilltë dhe hulumtimi të thellë dhe kritereve strikte nga zyrtarët e prokurimit ose duhet të kalohet në atë ekonomikisht më të favorshëm. Nuk mund e nuk duhet të fitojë askush kontratën për shërbim me ngjyrën për printerë në të cilën koston e printimit color e ka më të ulët se atë të zezë. Do të mjaftonte një kërkim i thjeshtë në internet për të parë se kostoja e printimit me ngjyrë kushton më shumë se printimi me vetëm ngjyrë të zezë. Njëjtë siç nuk duhet të fitojë kontratën një operator i cili oferton  për “larjen (pastrimin) gjenerale” të makinave të vendos çmime më të ulëta se për “larjen e thjeshtë”. Këto kontrata kanë ndodhur dhe janë shpërblyer nga institucionet dhe zyrtarët tanë të prokurimit pa u shpallur të papërgjegjshme.

o          Pra duhet hulumtim i tregut.

o          Duhen kërkesa specifike që nuk lejojnë hapësirë për keqinterpretim.

 

Pasojat nga mos adresimi i këtyre probleme të gjithë i dimë. 

•          Ritenderim për punët e njëjta sepse shkolla prishet pas një viti (nganjëherë dorëzohet me defekte sepse zyrtari përgjegjës vendos me i mbyllë sytë), uji rrjedhë, ngrohja nuk punon e çatia pikon. Njëjtë sikur asfalti bëhet me gropa pas një dimri apo e merr vërshimi nga reshjet. Bëhet kështu sepse kualiteti për të cilin ka paguar qytetari me taksat e tij është komprometuar duke kaluar në xhepat e zyrtarëve e të biznesit.

•          Kemi pasurim të paligjshëm, sepse burimi kryesor i pasurimit të pajustifikuar e të paligjshëm është pikërisht përmes kontratave të korruptuara. 

•          Favorizim i bizneseve të lidhura me zyrtarë e pushtetarë të caktuar, ku kemi pasur biznese të oborrit qeveritar. 

  Këto janë vetëm disa nga gjërat që ne duhet t’i adresojmë me urgjencë dhe për të cilat në vitin që vjen ne si kabinet do të shtyjmë përpara në kuadër të një reforme e cila duhet të jetë në harmoni me direktivat e Bashkimit Evropian për prokurimin publik, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe institucionet tjera relevante dhe me pjesëmarrje të plotë të shoqërisë civile. /Lajmi.net/