Kryeministri Hoti: Në Washington presim projekte ekonomike për Kosovën

Kryeministri Avdullah Hoti ka vizituar komunën e Pejës, i shoqëruar nga ministrat, Arban Abrashi, Besian Mustafa dhe Ministrja Vlora Dumoshi ai ka takuar kryetarin e kësaj komune, Gazmend Muhaxheri.

Lajme

20/06/2020 12:12

Kryeministri Hoti i pyetur se çfarë pret nga takimi në Washington të shtunën e ardhshme, deklaroi se fokusi do të jetë në bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë.

“Presim të rifillojmë procesin e dialogut, fokusi siç është bërë e ditur nga zyrtarë të adminsitratës amerikane do jetë në bashkëpunimin ekonomik mes të dyja vendeve tanimë tash së bashku me Ministrin e Infrastrukturës dhe kabinetin qeveritar ne jemi duke i zhvilluar idetë tona, me projekte madhore infrastrukturore që e ndryshojnë komplet peisazhin ekonomik në Kosovë dhe në krejt regjionin. Janë disa projekte që unë besoj se për një periudhë afatmesme do ta kthejnë Kosovën në qendër të aktivitetit ekonomik në nivel të regjionit”, ka thënë Hoti.

Në lidhje me organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, Hoti tha se ka lejuar tashmë praktikën e njëjtë që bëhet nga viti i 2011 dhe që administrohet nga OSBE’ja në Kosovë për mbledhjen e votave.

“Nga viti 2011, ka një aranzhim në mes institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, për organizimin dhe menaxhimin e mbledhjes së votave për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.Unë kam lejuar të njëjtat aranzhime të këtyre zgjedhjeve edhe tash përmes OSBE’së”, u shpreh kryeministri Hoti.