Kryeministri falënderon qytetarët për kulturën politike në fushatë

Kryeministri në largim i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e radhës të kabinetit qeveritar, ka falënderuar qytetarët për kulturën e lartë politike në fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme, që do të mbahen më 8 qershor.

Lajme

04/06/2014 12:37

Kryeministri ka thënë se Kosova po hyn në një fazë të rëndësishme të procesit elektoral, përmbyllës.

“Dëshiroj t’i falënderoj  të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për kulturën e tyre të lartë politike që po e tregojnë, për fushatën e qetë, mirëkuptuese, të konkurrencës së lirë, prezantimit të konkurrencës së projekteve, jo e mllefeve, akuzave e shpifjeve personale”, ka thënë Thaci.

Ai ka thënë se përmes kësaj fushate, shteti i Kosovës dhe shoqëria e saj po dëshmon se po ndërtojmë demokraci, dhe se demokracia me të vërtetë është në veprim dhe zhvillim në Republikën e Kosovës.

“Këto zgjedhje organizohen për herë të parë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Pres pjesëmarrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote”.

“Unë uroj si kryeministër i vendit të gjithë për këtë rol aktiv, dinamik, konstruktiv dhe pozitiv, spektrin politik, shoqërinë civile, mediet. Përshëndes prezencën tanimë edhe në terren të vëzhguesve evropianë dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“Gjithashtu pres edhe të shtunën dhe të dielën të kemi një proces të qetë, ndërsa të dielën të kemi një votim të mirëfilltë, duke respektuar vullnetin e plotë të gjithë, vullnetin e qytetarëve të vendit dhe Kosova edhe njëherë të dëshmohet fuqishëm se po konsolidohet dhe forcohet si shtet me të ardhme të sigurt perëndimore dhe për të vazhduar me hapat tonë të mëtutjeshëm për integrime në Bashkim Evropian dhe NATO dhe miqësinë tonë të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.