Kryediplomatja britanike e kujton luftën e Kosovës dhe ndeshjen e futbollit kur tifozët dardanë nderuan himnin anglez

Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper ka folur për atë sesi Britania e Madhe qëndroi pranë Kosovës në ditët më të vështira. Ajo në një konferencë nga ishulli ka folur se si kosovarët nderuan flamurin anglez në Kosovë, gjatë ndeshjes së futbollit mes dy vendeve. Sipas saj, një flamur në anën e një kamioni ushtarak…

Lajme

29/09/2025 21:54

Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper ka folur për atë sesi Britania e Madhe qëndroi pranë Kosovës në ditët më të vështira.

Ajo në një konferencë nga ishulli ka folur se si kosovarët nderuan flamurin anglez në Kosovë, gjatë ndeshjes së futbollit mes dy vendeve.

Sipas saj, një flamur në anën e një kamioni ushtarak që ka bërë diferencën mes jetës dhe vdekjes për njerëz që përballeshin me masakra në Kosovë.

“Dhe nëse ndokush nuk e beson këtë, le të kthehet gjashtë vite pas, kur ekipi i meshkujve të Anglisë në futboll luajti një ndeshje kualifikuese në Kosovë, dhe lojtarët u rreshtuan për himnet kombëtare. Kur filloi të luhej “God Save The Queen”, çdo tifoz kosovar në stadium ngriti lart flamurin(anglez), dhe mes tyre një banderolë që shkruante: “na dhatë shpresë për liri. Dhe ata valëvitën flamurin tonë me krenari, duartrokitën himnin tonë me ngrohtësi, dhe kënduan emrin e Mbretëreshës sonë. Sepse ata e kujtonin se si Britania kishte qëndruar përkrah tyre. Kjo është ajo për të cilën përfaqëson vendi ynë në mbarë botën, dhe kjo është ajo që duhet të vazhdojmë të jemi gjithmonë”, tha sekretarja britanike.

Sekretarja britanike, tha se çdo njeri ka të drejtën të jetojë i lirë nga frika. “Pas luftës në Kosovë dhe krizës në Ballkan, shpresuam se nuk do të shihnim më luftë në Evropë. Do të dëgjoni njerëz në çdo kontinent të flasin me admirim për Familjen tonë Mbretërore dhe Parlamentin tonë, trashëgiminë dhe kulturën tonë, forcat tona të armatosura dhe universitetet, letërsinë, muzikën, filmin dhe sportin që i kemi dhënë botës, shpikjet britanike që kanë ndryshuar historinë. Por më shumë se kaq, ata do t’ju thonë se flamuri ynë përfaqëson drejtësinë, ndershmërinë, tolerancën dhe dinjitetin”, tha ajo.

“Në këtë konferencë, tridhjetë vjet pas përdorimit të tmerrshëm të përdhunimit dhe dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duhet gjithashtu të sigurohemi që të ketë një mbrojtje shumë më të fortë për gratë dhe vajzat në Sudan, Myanmar dhe konflikte të tjera që po ndodhin sot”, tha ajo në konferencën e Laburistëve që po mbahet në Liverpool,

Prandaj, ajo tha se i paralajmëron të gjithë ata që janë përgjegjës për orkestrimin e dhunës seksuale se një ditë do të përballen me drejtësinë, pavarësisht se sa kohë do të duhet, “ndërsa ne kërkojmë një fund të përdorimit të përdhunimit si një armë lufte”, tha Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper.

Yvette Cooper u emërua Sekretare e Shtetit për Punët e Jashtme, Commonwealth dhe Zhvillim më 5 shtator 2025. Ajo ka qenë më parë Sekretare e Shtetit për Punët e Brendshme nga 5 korriku 2024 deri më 5 shtator 2025. Ajo u zgjodh deputete për Pontefract, Castleford dhe Knottingley në korrik 2024. /rtk