KRPP-ja e konfirmon se Komuna e Gjilanit e ka thyer ligjin për biznesmenin e afërt me LDK-në

Organet e hetuesisë kanë bazë ligjore që të involvohen në një proces tenderues të dyshimtë në Komunën e Gjilanit.

Lajme

27/05/2021 13:03

Komuna e Gjilanit ka shkelur Ligjin e Prokurimit Publik për të shpërblyer me kontratë mbi gjysmë milion euro një biznesmen që është i afërt me partinë e kryetarit, Lutfi Haziri.

Në bashkëfinancim me Komisionin Evropian, Komuna para dy viteve ka nisur ndërtimin e tregut të gjelbër.

Në një garë të hapur, tenderin e kishte fituar më 5 shkurt 2019, grupi i kompanive “Ceni Group” shpk & “El Bau” shpk, në një vlerë të kontratës prej 871. 173, 42 euro.

Para pak ditësh, Zyra e Prokurimit të Komunës së Gjilanit ka shpallur fitues përsëri kompaninë “Ceni Group” për të njëjtin projekt.

Pronarët e kësaj kompanie janë të afërt me LDK-në në Gjilan, shkruan lajmi.net.

Procedurë tenderuese që ka zbatuar prokurimi komunal ka qenë e ‘negociuar pa publikim të kontratës’ dhe emri i projektit është i njëjti si para dy viteve: “Ndërtimi i tregut të Gjelbër në Komunën e Gjilanit”. Fitues po ashtu është shpallur kompania “Ceni Group” shpk, me çmim prej  509. 177, 24 eurove.

Lajmi.net ditë më parë ka raportuar se komuna në këtë rast e ka shkelur ligjin e prokurimit kur ka proceduar për këtë projekt. 

Këtë e ka konfirmuar edhe Komisioni Rregullativ i prokurimit Publik –KRPP.

Fillimisht, komuna kishte kërkuar një interpretim ligjor nga KRPP për të vazhduar me ‘procedurë të negociuar’ për këtë projekt, dhe ky institucion kishte konstatuar se nuk kishte arsyshmëri të mjaftueshme që të procedohet me negocim, por të procedohet me ofertë të hapur.

Nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, lajmi.net i është ofruar qasje në opinion e lëshuar nga ky institucion për komunën e Gjilanit për këtë tender.

“Lidhur me përdorimin e procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë për aktivitetin prokurimit me Titull “Ndërtimi i Tregut të Gjelbër në Komunën e Gjilanit.” Me nr. të prokurimit: 651-21-929-515” i iniciuar nga Autoriteti Kontraktues – Komuna e Gjilanit, Opinion i Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik është se lidhur me përdorimin e Procedurës se Negociuar pa Publikim e Njoftimit për Kontratë për këtë aktivitet të prokurimit nuk janë plotësuar dispozitat e nenit 35 të LPP-së”, thuhet në hyrje të opinionit të KRPP-së.

KRPP ka shkruar tutje në opinionin e saj se në mbështetur në nenin 35.1 të LPP-së Autoriteti Kontraktues Komuna e Gjilanit me datë 03.03.2021 përmes platformës së E-prokurimit ka dërguar në KRPP njoftimin për përdorimin e procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë ( PNPNJK) lidhur me aktivitetin e prokurimit me Titull “Ndërtimi i Tregut të Gjelbër në Komunën e Gjilanit”.

“Sipas arsyetimit të dhënë ndër të tjera keni thënë se në pamundësi të zhvillimit të punimeve për të ekzekutuar pasi që ka mungesë të pozicioneve në përmasën e ofertuar kërkohet nga njësia kërkuese dhe zyra e prokurimit të bëhet inicimi i procedurës me negocim për pozicionet që janë mungesë sipas projektit bazë, po ashtu e njëjta kompani e cila është kontraktuar për punët e deri tashme do të përfundoj punimet edhe mbas implementimit të fazës së (ll) pozicionet të cilat i ka të kontraktuar, por që nuk kanë mundësi të ekzekutohen pa u përfunduar pozicionet të cilat duhet të kontraktohen në fazën e II. Sipas kësaj konstatojmë se Vendimi është marrë bazuar në Neni 35.2.3(ii) të drejte ekskluzive për të ofruar shërbime të tilla, nëse për arsye objektive dhe të detyrueshme teknike ose artistike, kontrata duhet ti ipet një operatori-të caktuar ekonomik, KRPP, në ketë aspekt nuk ka vërejtur në “shpjegimin” tuaj se cila është kjo e “drejt ekskluzive”.

“KRPP vlerëson se Arsyetimi i dhënë është bazuar kryesisht në atë se kompani e kontraktuar për kontratën bazë e ka njëfarë të drejte ekskluzive për realizimin e këtyre punimeve. Për KRPP-në kjo është e pa pranueshme dhe e pa arsyeshme sepse sipas shpjegimit tuaj pavarësisht kësaj kjo nuk i jep asnjë të drejte ekskluzive sipas neni 35 te LPP- së”, ka thënë KRPP në opinion e vetë, ku i ka bërë Komunës edhe disa rekomandime.

“Sipas kësaj me lartë KRPP rekomandon zyrën e prokurimit ( ZKA) që ta rishqyrtoj edhe një herë vendimin lidhur me përdorimin e procedure së negociuar pa publikim te njoftimit për kontrate për aktivitetin e cekur më lartë”.

Po ashtu KRPP e ka rekomanduar Autoritetin Kontraktues të marre masa që të organizoi vende-punishten me qëllim që ketë aktivitet të prokurimit ta zhvilloi me procedurë të hapur e cila do të rriste transparencën, konkurrencën e lirë dhe trajtimin e barabartë. Këtë KRPP e ka arsyetuar duke e cituar LLP-në.

“Kjo sepse Neni 7 paragrafi 3 i LPP-se nder të tjera thot se; autoritetit kontraktues i ndalohet që të zgjedh një procedurë të prokurimit ose duke vendosur një kërkesë ose kriter të përzgjedhjes ose specifikacion teknik që në ndonjë mënyrë ka për qëllim të favorizojë ose diskriminojë kundër njërit ose më shumë operatorëve ekonomik. Nga kjo nënkuptojmë se Autoritetin Kontraktues nuk duhet të zgjedh procedurën e prokurimit e cila do të favorizoi apo diskriminoj operatorët ekonomik”, përfundon rekomandimi i KRPP-së.

Lajmi.net ditë më parë kishte kërkuar disa informacione për këtë tender nga Komuna e Gjilanit, por ajo nuk ishte përgjigjur.

Pronar në kompanisë “Ceni Company” shpk është Jeton Hyseni, kurse drejtor babai i tij, Hysen Hyseni.

Të dy janë përkrahës të LDK-së, mandej këtë nuk e kanë fshehur as në rrjetet sociale, ku shumë fotografi shihen në përkrahje të kësaj partie dhe të vetë kryetarit Haziri.

Madje, vajza e drejtorit, njëherësh motra e pronarit të kompanisë, Jehona Hyseni, ka qenë për disa vite asambliste në KK të Gjilanit nga radhët e LDK-së./Mentor Buzhala –Lajmi.net/

Komuna e Gjilanit thyen ligjin për njeriun e afërt me LDK-në