Komuna e Gjilanit thyen ligjin për njeriun e afërt me LDK-në

Komuna e Gjilanit ka shkelur Ligjin e Prokurimit Publik për të shpërblyer me kontratë mbi gjysmëmilion euro një biznesmen që është i afërt me partinë e kryetarit, Lutfi Haziri.

Lajme

24/04/2021 19:30

Në bashkëfinancim me Komisionin Evropian, Komuna e Gjilanit para dy viteve ka nisur ndërtimin e tregut të gjelbër.

Në një garë të hapur që kishte përfunduar për një kohë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, tenderin e kishte fituar me 5 shkurt 2019, grupi i kompanive “Ceni Group” shpk & “El Bau” shpk,  në një vlerë të kontratës prej 871. 173, 42 euro.

Para dy ditësh, Zyra e Prokurimit të Komunës së Gjilanit ka shpallur fitues përsëri kompaninë “Ceni Group” për të njëjtin projekt. Pronarët e kësaj kompani janë të afërt me LDK-në në Gjilan, shkruan lajmi.net.

Procedurë tenderuese që ka zbatuar prokurimi komunal ka qenë e ‘negociuar pa publikim të kontratës’ dhe emri i projektit është i njëjti si para dy viteve “Ndërtimi i tregut të Gjelbër në Komunën e Gjilanit”.

Fitues po ashtu është shpallur kompania “Ceni Group” shpk, me çmim prej  509. 177, 24 eurove.

Nuk është cekur nëse tenderi i ri që ka qenë pa konkurrencë ka të bëjë me punët shtesë që kanë dalë si rezultat i keqprojektimit, apo është procedurë e re për punët tjera, por që kanë të bëjnë me tregun.

Si do që të jetë, prokurimi komunal ka bërë shkelje të ligjit në këtë rast.

Neni 35 i Ligjit të Prokurimit Publik e ka paraparë edhe kapitullin: “Procedurat e negociuara pa publikimin e njoftimit të kontratës”. Ky nen përjashton inicimin e prokurimit nëpërmjet  procedurës së negociuar pa publikim të kontratës për kontratat që kanë të bëjnë për Punë, vetëm në situatat e jashtëzakonshme. Ndërsa, po ky ligj ka paraparë që mund të ketë procedurë të negociuar me kompaninë e njëjtë në mënyrë që të mos tejkalohet çmimi i ofertës më shumë se 10 për qind e kontratës së parë. Në këtë rast, komuna e ka tejkaluar disa herë shumën e kontratës së parë.

“Për punë apo shërbime të reja që bëjnë pjesë në përsëritjen e punëve apo shërbimeve të ngjashme dhe që iu besuan operatorit ekonomik të cilit i njëjti autoritet kontraktuese i dha kontratën fillestare, me kusht që punët e tilla të janë në përputhje me një projekt bazik për të cilin kontrata origjinale ishte dhënë sipas procedurës së hapur ose të kufizuar. Sa më herët që projekti i parë të është paraqitur për tender, përdorimi i mundshëm i kësaj procedure do të deklarohet dhe kosotja totale e parashikuar e punimeve apo shërbimeve pasuese duhet të merren në konsideratë nga autoritetet kontraktuese, kur ata të aplikojnë rregullat e vlerësimit të Kapitullit 4. Autoritetet publike mund të përdorin këtë procedurë vetëm gjatë një periudhe prej dy viteve pas përfundimit të kontratës fillestare. Me kusht që, sidoqoftë, neni 35.2.4 (ii) mund të shfrytëzohet vetëm për të mbuluar një ose më shumë kontrata për shërbime të reja që, vetëm ose së bashku kanë një vlerë që nuk është më e madhe se dhjetë për qind (10%) e vlerës së kontratës të mëhershme të shërbimeve”, thuhet në nenin 35 të LPP-së.

Lajmi.net ka kërkuar një përgjigje nga Zyra për Informim e Komunës së Gjilanit lidhur më këtë tender, por kjo zyrë nuk ka dashur të përgjigjet.

Por, sipas paramasës dhe parallogarisë së këtij tenderi që e ka parë lajmi.net, bëhet fjalë për punë shtesë.

Sipas paramasës së tenderit të ri, gati krejt pozicionet që duhet në kryhen me kontratën e re janë të njëjta me pozicionet në paramsën e tenderit 2019. P.sh, një pozicion në tenderin e ri është: “furnizim me materiale dhe shtrirja e zhavorrit me trashësi 25 cm nën kubëzat e betonit për shtigjet e ecjes dhe ngjeshja e tij. Fraksion 0-31 mm në sasi prej 350.00”. Në vitin 2019 është paraqitur pozicioni i njëjtë tek paramasa, veç se atëherë ishin kërkuar 12 49.0 m3.

Po ashtu, në paramasën e re, sigurohet: “Gërmimi dhe largimi i dheut rreth objektit për nivelimin e terenit, me mekanizëm. Në çmim përllogaritet transporti” në sasi prej 280.00 m2. Në paramasën e vitit 2019 ishte paraparë edhe ky pozicion që ishte në sasi prej 4294.5 m3.

Paramasa 2021:

Paramasa 2019:

Pronarët e kompanisë të lidhur më LDK-në

Pronar në kompanisë “Ceni Company” shpk  është Jeton Hyseni, kurse drejtor babai i tij, Hysen Hyseni.

Të dy janë përkrahës të LDK-së, mandej këtë nuk e kanë fshehur as në rrjetet sociale, ku shumë fotografi shihen në përkrahje të kësaj partie dhe të vetë kryetarit Haziri.

 

Madje, vajza e drejtorit, njëherësh motra e pronarit të kompanisë, Jehona Hyseni, ka qenë për disa vite asambliste në KK të Gjilanit nga radhët e LDK-së.

Në vitin e kaluar, derisa kishin rinisur punët që ishin ndalur për shkak të pandemisë, kryetari Haziri kishte thënë se “investimi në këtë treg shkon mbi 1.6 milion euro, që është investim i përbashkët i Komunës së Gjilanit dhe Komisionit Evropian”.

Për këtë projekt, prokurimi i Gjilanit me 05.02.2019 e kishte shpall fitues konzerciumin “Ceni Group” shpk & “El Bau” shpk ne një vlerë të kontratës prej 871. 173, 42 euro.

Në garë kanë qenë pesë konkurrentë, derisa tri kompani tjera kanë pasur çmim më të lirë, por ishin shpallur të pa përgjegjshme. Për një kohë të gjatë, ky tender ka qenë për gjykim në Organin Shqyrtues të Prokurimit. /M.B-Lajmi.net/