Kroacia si zë i Kosovës

Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipovic, ka premtuar se shteti i tij do ta përkrahë Kosovën në të gjitha institucionet ndërkombëtare. Ai takoi Ministrin Enver Hoxhaj, me të cilin ka diskutuar edhe për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Lajme

22/02/2014 12:54

Kroacia do të jetë zë i fuqishëm për Kosovën në organizatat rajonale, europiane e botërore.

Ky premtim është dhënë nga Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipavic, i cili ka pritur sot në takim Ministrin e Jashtë të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Përmes një komunikate të lëshuar nga MPJ, thuhet se në këtë takim Hoxhaj e ka falënderuar Presidentin koroat për përkrahjen e vazhdueshme të Kroacisë.

“Njëherësh janë pajtuar njëzëri për të vazhduar bashkëpunimin edhe më intensivisht veçmas në sferën e ekonomisë dhe tregtisë”.

“Pas takimit, Hoxhaj ka deklaruar se presidenti Josipovic mbetet një mik i madh i Kosovës dhe me të kanë diskutuar për të bashkërenduar dhe shtyrë përpara vendosjen e një partneriteti strategjik”.

“Kisha një takim shumë të mirë me presidentin Josipovic. Presidenti kroat është një mik i madh i Kosovës ndërsa dihet që Kroacia dhe Kosova kanë një bashkëpunim pothuajse historik për disa dekada me radhë, mirëpo pas anëtarësimit të Kroacisë në BE dhe pas konsolidimit të shtetit tonë të pavarur dhe sovran shtrohet pyetja se si të kemi një partneritet më strategjik ndërmjet vendeve tona”.

“Nga Presidenti kroat mora mbështetje të plotë që Kroacia do ta mbështet Kosovën në agjendën integruese evropiane, në anëtarësimin në organizata dhe investitorët kroatë do të jenë më të pranishëm në Kosovë”, ka thënë Hoxhaj, thuhet në këtë komunikatë.

“Nga ana e tij, presidenti kroat Josipovic ka konfirmuar mbështetjen duke thënë se Kroacia është në anën e Kosovës dhe do të jetë zë i fuqishëm në organizatat rajonale, europiane e botërore”.

“Në kuadër të vizitës, shefi i diplomacisë kosovare ka mbajtur edhe një ligjëratë në Akademinë Diplomatike të Kroacisë, para një numri të madh të ftuarish përfshirë ambasadorë, diplomatë, politikanë e akademikë”.